Atentati në Milot, policia siguron dëshminë paraprake të Ylli Brahimit, do ruhet me policë edhe në shtëpi

Vijojnë hetimet mbi atentatin në Milot ku mbeti i vrarë Klisman Preçi dhe u plagos Ylli Brahimi.

Policia ka në dorë një dëshmi paraprake të 46 vjeçarit mbi atë që ndodhi më 22 korrik 2022 në oborrin pranë pallatit.

Ai ka rrëfyer për itinierarin e lëvizjes së tij nga momentet kur ka dalë nga banesa deri në momentin kur u bë atentati.

Tashmë gjëndja e tij shëndetësore është përmirësuar dhe pritet të lërë spitalin e Traumës.  Ndërkohë që një patrullë policie pritet të mbajë nën mbikqyrje në banesën e tij ashtu siç u mbajt në mbikqyrje tek Trauma. 

Sa i takon hetimeve nga ana e policisë janë administruar kamera sigurie përgjatë bulevardit të Milotit dhe pranë vendit ku ka ndodhur atentati. Gjithashtu janë sekuestruar makina e djegur e dyshuar e autorëve dhe makina e blinduar në të cilën ishin Preçi dhe Brahimi në momentin dhe kur u ekzekutuan.

Ka qenë ora 21:00 kur në sheshpushimin  e një pallati persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip fuoristradë “Land Chrysler” e blinduar brenda  të cilit ndodheshin shtetasit Klisman Preçi, dhe Ylli Brahimi.

Viktima e këtij atentati Klisman Preçi, në muajin maj 2022 i shpëtoi një tjetër atentati, së bashku me kushëririn e tij Blerim Preçi, por ai i mbrëmjes së 22 korrikut ishte fatal për të. Ndërsa për Ylli Brahimin ishte atentati i dytë që i shpëtoi pas atij të janarit 2021.

Raportimi i gazetarit Edison Vatnikaj.