Babai i vrau të ëmën me thikë kuzhine, flet djali i dëshpëruar: E kemi fajin ne që nuk e mbrojtëm
Media greke zbardhin detaje të reja nga vrasja e 41-vjeçares shqiptare nga dora e bashkëshortit të saj në Tsilivi Zakynthos, i cili i mori jetën me thikën e kuzhinës.
Hetimet kanë zbuluar se tehu i thikës ishte përkulur nga forca e goditjve ndaj viktimës.
Arma e krimit është gjetur pranë trupit të pajetë të gruas nga autoritetet policore, ndërkohë që autori 51-vjeçar shqiptar ishte larguar nga shtëpia.
Djali 20-vjeçar i çiftit ka treguar se gruaja fatkeqe kishte shumë frikë dhe se sjellja agresive e të shoqit vazhdoi për shumë vite.
“Faji është edhe i yni, sepse nuk kishim marrë masat e nevojshme, ky ishte një gabim shumë i madh i yni. Unë dhe nëna ime folëm për këtë në përgjithësi. Ajo punonte dy punë për të përballuar jetesën dhe unë nuk isha këtu. Ajo bëri gjithçka për ne. Vetëm për fëmijët e saj. Ajo ishte nëna perfekte. Më vjen keq për vëllain dhe motrën time, duhet të gjejmë një zgjidhje dhe të vazhdojmë përpara”, tha djali i çiftit.
E vrau dhe shkoi në punë
Vrasësi menjëherë pas aktit të rëndë është larguar nga vendi i krimit sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Policia ka nisur menjëherë hetimet për kapjen e autorit, i cili u gjet përfundimisht në zonën e Marathisë, në Keri.
Autori, i cili do të sillet në prokurori mëngjesin e së martës, mësohet se u ka thënë policëve që e kanë arrestuar se “e kam vrarë se më ka tradhtuar”.
Vlen të theksohet se shqiptari i mori jetën bashkëshorten e tij, ndërsa ishte në kërkim nga Policia, pasi viktima e kishte paditur për dhunë një orë para vrasjes së saj.
Po kështu në datë 18 qershor “kasapësi i Zakynthos” ishte arrestuar sërish për dhunë në familje pasi rrahu gruan e tij. Ai u dërgua në prokurori dhe u la i lirë me kushtin kufizues që të mos i afrohej 100 metra bashkëshortes. Por gruas i erdhi keq, e pranoi sërish në shtëpi dhe më në fund e pagoi me jetë këtë vendim.
Dje herët pasdite ka nisur sërish tortura për 40-vjeçaren fatkeqe, nënë e tre fëmijëve, dy prej të cilëve të mitur.
I shoqi rreth orës 20:00 ka filluar ta rrahë pa mëshirë, duke shfryrë mbi të tërbimin e sëmurë. Gruaja në gjendje të mjerueshme dhe pasi ai ishte zhdukur, arriti të kalonte pragun e Policisë për herë të dytë dhe të ngrinte padi kundër torturuesit të saj.
Autoritetet ishin në kërkim të tij dhe në orën 22:30 kur viktima kthehet në katin përdhes të dupleksit në zonën e Tsilivit, e gjen përballë.
Sipas një dëshmitari okular, fqinj i çiftit, shqiptari e ka kapur nga flokët dhe e ka tërhequr zvarrë në ballkon duke thirrur: “Do të të vras”.
Ai e godet ashpër dhe kur gruaja lufton për t'i shpëtuar jetën, 51-vjeçari merr thikën e kuzhinës, fillon ta godasë me furi në qafë dhe gjoks dhe i “merr” jetën.
Pas aktit të tij ai zhduket dhe pak para orës 10 të mëngjesit të sotëm arrestohet.
Sipas kryetarit të komunitetit Dionysis Giakoumelos, dy familjet e tjera që jetonin në shtëpinë dykatëshe me çiftin shqiptar kishin njoftuar disa herë policinë për të bërtiturat dhe rrahjet që dëgjoheshin nga banesa e tyre.
“Shtëpia ku kanë banuar çifti është dykatëshe dhe bashkë me ta banojnë edhe dy familje të tjera. Një fqinj më tha se kishin evidentuar problemin që ekzistonte sepse dy muajt e fundit çifti ziheshin pothuajse çdo ditë, dhe se ata dëgjonin të bërtitura dhe goditje. Fqinjët kishin lajmëruar disa herë policinë që të parandalonte të keqen. Dje u dëgjuan edhe një herë zërat e gruas, ai po e rrahte dhe në fund e goditi me thikë. Gruaja përfundoi në Spitalin e Përgjithshëm të Zakynthos. Ata kishin tre fëmijë së bashku, 20, 14 dhe një vajzë 9-vjeçare”.
Çifti jetonte vitet e fundit në Tsilivi. Deri në periudhën e grindjeve atqa dukej se jetonin në harmoni me dy fëmijët e tyre më të vegjël pasi më i madhi jetonte vetëm. 51-vjeçari punonte në ndërtim ose në hoteleri dhe në dimër me bujqësi.

