Ersida nuk ishte viktima e parë e pengmarrjes, 4 vite më parë Musaku rrëmbeu ish bashkëshorten e tij
Ersida, nuk është gruaja e parë e cila është marrë peng për 7 ditë nga 32 vjeçari Marjus Musaku. Policia njoftoi sot se Musaku ishte dënuar më parë për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Nga një kërkim zbulohet se në nëntor 2018 Musaku nga Karbunara e Lushnjes ka marrë forcërisht ish bashkëshorten e tij dhe e ka mbajtur peng të fshehur në qytetin e Durrësit për disa orë.
Ka qenë denoncimi i babait të vajzës 26-vjeçare, ish bashkëshortës së tij, i cili vuri në lëvizje policinë kur informoi se ish dhëndri kishte shkuar në banesën e tij në fshatin Zhamë të Lushnjes dhe i kishte marrë me forcë të bijën.
Ndërkohë Marjus Musaku ndodhet në pranga për një pengmarrje të dytë. Gjatë dëshmisë në polici ai ka mohuar se e ka mbajtur peng 30 vjeçaren, duke dhënë hipotezën se nënë e dy fëmijëve kishte shkuar vetë.
Por nga denoncimi që 30 vjeçarja ka bërë në polici së bashku me bashkëshortin e saj është raportuar se Musaku I ka hequr lirinë në mënyrë të paligjshme Ersidës "duke e mbajtur me forcë për disa ditë në një banesë e ka detyruar për të bashkëjetuar dhe ka kryer marrëdhenie seksuale me dhunë me të, nën kërcënimin e një thike dhe duke e kanosur për jetën e familjarëve të saj” informoi policia e Durrësit.
Policia njoftoi sot (2 gusht 2022) për arrestimin e tij.
