Qeveria hap garën ndërkombëtare për 86.1 km në aksin Milot-Fier, Rama: Me shpejtësi maksimale e standarde europiane
Në mandatin e tretë, qeveria është fokusuar në disa ”kantiere” projektesh infrastrukturore që prekin tokën, detin dhe qiellin.
Kabineti i Edi Ramës ka hapur garën ndërkombëtare për aksin Milot-Fier, pjesë e Korridorit Blu, me një gjatësi prej 86.1 km.
Por prej tij nuk do të përfitojë vetëm një kompani, pasi kryeministri sëbashku me zv/kryeministrin, në prag të një viti zgjedhor, kanë menduar që t’i japin mundësi disa operatorëve duke e ndarë në tre segmente:
Milot – Thumanë 13.5 km
Kasha – Lekaj 26.6 km
Lekaj – Fier 46 km
"Nuk është i gjithë segmenti. Ai vazhdon në pjesën juglindore ku është pjesa më kritike e korridorit blu. Të gjitha ato që u thanë për gjoja një tender të parafabrikuar, për gjoja një kompani që e kishte fituar para, për gjoja një korrupsion të madh e blla, blla, blla rezultuan të gjtiha një vrimë e madhe në ujë," tha ai.
Me ndryshimet e bëra në Kodin rrugor me propozimin e socialistëve, në këtë aks do të lejohet shpejtësia maksimale deri në 130 km/h ndërsa Rama premton se do të jetë me standarde europiane.
"Do të jetë me certifikatë sigurie nga BE. Nuk do të ketë nga ato trampolinat, pishinat, depot, magazinat, palmat, makinat që pozojnë në dy anët e rrugës duke krijuar një rrezik permanent," tha Rama.
Më pas kryeministri do të fokusohet tek hekurudha, pasi është një nga vendet e vetme të europës që nuk ua ofron qytetarëve të saj këtë shërbim transporti.
"Kemi filluar me Tiranë-Durrësin, por kemi shumë për të bërë aty. Qoftë me hekurudhën drejt Hanit të Hotit, qoftë për Durrës-Prishtinë, dhe qoftë me hekurudhën e korridorit 8," tha ai.
Aeroportet janë projekte e tjera të Edi Ramës, që do të mbyllen në Sarandë.
"Aeroportin e Vlorës e kemi kantier. Së shpejti do të hapet gara për aeroportin e Sarandës, pra me portet e qiellit ne e kompletojmë të gjithë rrjetin," deklaroi kryeministri.
Edhe pse Rama e ka inauguruar me këngë dhe valle, ruga e arbrit ende nuk ka përfunduar, pasi Ministrja e Infrastrukturës tha se duhen edhe 17 muaj që të përfundojë tuneli i Murrizit.
