Alibeaj nervozohet nga Nikolla: Ministrat s’janë ekip basketbolli, hiq një mbrojtës dhe vendos një sulmues, Ahmetaj s’mban të qeshurën

Edhe pse u rrëzua kërkesa për mocion kontestimesh nga ana e kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, seanca parlamentare që po zhvillohet në Kuvend ka nisur me debate.

Alibeaj në fjalën e tij në “Foltore” i është drejtuar me kritika Lindita Nikollës duke i thënë se s’ka të drejtë që t’u ndërpresë fjalën deputetëve.

Alibeaj tha se ajo që do diskutohet sot është emërimi dhe shkarkimi i ministrave. Fjala e tij është pritur me buzëqeshje nga ana e Arben Ahmetaj, pasi Alibeaj tha se ministrat s’janë ekip basketbolli.

Enklelejd Alibeaj: Ju jeni aty për të zbatuar Kushtetutën e Repubklikës së Shqipërisë dhe rregulloren dhe sigurisht të vini në jetë të drejtën e deputetëve të parlamentit për të folur.  Ajo që do të diskutohet sot është shkarkimi dhe emërimi i ministrave. Ministrat nuk janë lojtarë të një ekipi basketbolli, hiq një mbrojtës dhe vendos një sulmues, janë njerëz që marrin topin që është fati i shqiptarëve. Sot s’keni të drejtën deputetëve dhe shqiptarëve për të kuptuar se kush po qeverisë. Është e udhës që ju t’u ktheni parlamentin shqiptarëve. Më thirrët dje në pikë të mëngjesit për një kërkesë që kishte ardhur nga autoriteti i dosjeve, kjo është një kërkesë legjislative, kështu duhet të ndodh gjithmonë. Çdo procedurë ligjore duhet të diskutohet. Sot për çështjen më të rëndësishme që ky parlament që duhet të diskutojë, kontrollin e deputetëve, ju na hiqni të drejtën. Keni detyrën që t;u jepni fjalën deputetëve, për të diskutuar ndryshimet në qeveri.