Një shekull Shqipëri-SHBA ndryshon Ballkanin, Rama shigjeton Berishën dhe Metën

Presidenti amerikan, Joe Biden, përshëndeti në një video mesazh të posaçëm shqiptarët në 100 vjetorin e marrëdhënies mes dy vendeve.

Edhe ambasadorja, Yuri Kim, theksoi bashkëpunimin mes vendeve edhe në periudha të vështira siç ishte diktatura apo dhe me reformën aktuale në drejtësi.

“Gjatë ditëve më të errëta të komunizmit ai pishtar i shtrenjtë u ruajt nga shqiptarët, madje disa paguan çmimin më të lartë. SHBA kurrë nuk është lëkundur nga besimi për një Shqipëri të pavarur dhe sovrane”.

Në ceremoninë e organizuar sot, kryeministri Rama shprehet se Washingtoni ka propozuar thellimin e partneritetit strategjik, teksa nënvizoi angazhimin për ndryshimin e rajonit.

 “Ne do ta ndryshojmë rajonin dhe me Ballkanin e Hapur që është një projekt 100% i dakordësuar dhe 100% i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne do të bëjmë të mundur që e shkuara e cila vazhdon të jetë kërcënim edhe sot, është e vërtetë, të mos jetë më kurrë kërcenim për Ballkanin, por të jetë vetëm një thesar dijesh dhe mësimesh për sesi historia nuk duhet të përsëritet".

Duke vlerësuar rolin e SHBA në nisjen e reformës në drejtësi, Rama shigjetoi si Berishën dhe Metën.

“Nëse do ta parafytyronim për një moment të vetëm rrugëtimin e këtyre 30viteve, pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe pse mund të kishim lirinë dhe mund t’i kishim hapur vetes rrugën për të ndërtuar demokracinë,  e marrim vetë me mend se çfarë do ishte Shqipëria sot; gjithçka tjetër, por jo një vend ku po zhvillohet një reformë e thellë në drejtësi, gjithçka tjetër, por jo një vend ku vazhdon përpjekja e përditshme për t’u ndarë nga e shkuara, gjithçka tjetër, por jo një vend dhe popull i mbrojtur nga vetë xhagajdurët e tij, që kanë qenë historikisht arsyeja kryesore pse shqiptarët nuk kanë mundur të nxjerrin në pah të gjithë potencialin e tyre”.

Më herët Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, tha se marrëdhënia e Shqipërisë me SHBA-në ka rezistuar dhe nuk u zhbë, pasi ngrihet mbi ndjenja të sinqerta.