Deputetët ndërpresin pushimet, sot pasdite në Kuvend, votohen ndryshimet në qeveri

Deputetët do të duhet të ndërpresin pushimet, për të marrë pjesë pasditen e sotme në seancën plenare për të shqyrtuar dhe votuar dekretet e Presidentit Bajram Begaj për ndryshimet në Qeverinë “Rama”.

Vetëm një ditë pas largimit të Ilir Metës, kryeministri Edi Rama i çoi në tryezën e punës së Presidentit të ri ndryshimet në qeveri për t’i dekretuar, ku Arben Ahmetaj nuk do të jetë më pjesë e kabinetit, pasi shefi i ekzekutivit e ka zëvendësuar me Belinda Ballukun.

Ndërsa për integrimin, Edi Rama është i mendimit që punën negociuese mund ta kryejë më mirë një teknik se sa një diplomat.

Për këtë arsye Zef Mazi është zëvendësuar nga e besuara e tij Majlinda Dhuka.

Ndërkohë edhe Presidenti Begaj nuk i është bërë pengesë kryeministrit Edi Rama, por ka firmosur me dekret propozimet e shefit të qeverisë për ndryshimet në qeveri.

Pas votimit në seancë plenare, Belinda Balluku dhe Majlinda Dhuka do t’i drejtohen Presidencës, ku dhe do të bëjnë betimi që të nisin zyrtarisht punën e tyre të re.

Dhe më pas dy zyrtaret me detyrat ë reja do të festojnë në orën 19:00 së bashku me shefin e tyre në mitingun festiv që do të mbahet në sheshin Skëndërbej për çeljen e negociatave dhe 100 vjetorin e marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri.