Në qiell të hapur, Hajrie dhe Gani Kolgjokaj prej dy javësh pa shtëpi, jetojnë në një fushë

Në Elbasan një çift bashkëshortësh për afro dy javë jetojnë në qiell të hapur. Ata nuk kanë mundësi të paguajnë qiranë ndaj janë zhvendosur në një fushë pranë qytetit. Institucioneve ju bëjnë thirrjë për një strehë.

Prej dy javësh Hajrie dhe Gani Kolgjokaj nga Elbasani nuk kanë një çati mbi kokë.

Në pamundësi për të paguar qiranë ata janë larguar nga banesa ku jetonin dhe janë zhvendosur në këtë fushë në lagjen "Kusarth".

Këto kafshë shtëpiake dhe disa orendi të vjetra janë të vetmet pasuri që kanë.

Ditët e nxehta të korrikut bashkëshortët në moshë të thyer janë të detyruar t`i kalojnë në mes të diellit.

"Të rrish me kafshët. Pa bukë, pa u la, pa ujë."

Tregojnë se frymën e mbajnë gjallë me pensionet minimale, që shpesh nuk u mjaftojnë as për medikamente.

"36 vjet që kërkoj rrugëve të ha bukë duke mbledhur plastmas nëpër kazanë. Jeta ime ka qenë gjithmonë nëpër kazanë."

"Unë marr 198 mijë lekë pension, a ti marr ilaçe, a të marr bukë, a të bëj shtëpi?"

Në këtë kohë të vështirë miqtë u janë gjendur pranë, por thonë se kjo nuk ua zgjidh hallin.

Gjithë jetën nuk kanë kërkuar gjë tjetër veçse një strehë. Kryetarët e komunave dhe bashkive ndër vite i kanë sorollatur.

"Shkoj te kryetari i komunës, fshihet. E kam pritur me orë të tëra të më japë një përgjigje. Nga aty kam shkuar në bashki. Nuk kemi pritje sot, thanë. Kur e keni pritjen? Nesër. Shkova prapë të nesërmen".

Mjerimi thyen edhe forcën e një burri. Gani Kolgjokaj 73 vjeç ka këtë thirrje për këdo që dëgjon historinë e tij.

"Ju lutem shumë, vini dorën në zemër!"