Atentati në Milot ende pa autor, kqyren kamerat, pritet dëshmia e Ylli Brahimit
Vrasja e Klisman Preçit dhe plagosja e Ylli Brahimit, mbrëmjen e 22 Korrikut në Milot mbetet ende pa autorë. Shpresat e grupit hetimor për të rënë në gjurmët e autorëve, janë pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmia e të mbijetuarit të atentatit.
Atentati në Milot ku mbeti i vrarë 28 vjeçar Klisman Preçi dhe u plagos 46 vjeçari Ylli Brahimi, mbetet ende pa autorë.
Veprimet e para hetimore dhe shoqërimet pas krimit nuk dhanë rezultat.
Grupi hetimor është ende në fazën e kërkimit të provave të ekzekutorëve që sipas dinamikës së vrasjes ishin të paktën tre, ndërsa të tjerë besohet se kryen rolin e vëzhguesit.
Shpresat janë tek pamjet e kamerave të sigurisë së banesës së Ylli Brahimit që besohet se mund të kenë filmuar ngjarjen.
Por grupi hetimor mësohet se nuk ka arritur të hapë pamjet, ndaj serveri është sjelle për ekzaminim të Specializuar në Tiranë.
Paralelisht, po kqyren dhjetra orë filmime nga subjekte të ndryshme në Milot dhe përgjatë rrugëve kryesore nga ku autorët mund të kenë ardhur dhe larguar pas ngjarjes.
Drejtori i Policisë së Lezhës, Vehbi Bushati konfirmoi se ende janë duke kërkuar prova.
"Strukturat e DVP Lezhë, në koordinim me strukturat hetimore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin, po punojnë intensivisht për zbulimin e dokumentimin ligjor të ngjarjes së rëndë të ndodhur më datë 22 korrik 2022, në Milot, " tha Vehbi Bushati.
Gjurmë të autorëve po kërkohen edhe në dy makinat e djegura që u zbuluan disa orë pas vrasjes së Milot dhe në armët e zjarrit që u gjetën brenda tyre!
Por aty shpresat janë të pakta, pasi zjarri shkatërron cdo gjurmë biologjike, ndaj edhe djegia e mjeteve është një skemë që përdoret për të zhdukur provat pas krimeve të rënda.
Grupi hetimor ndërkohë nuk ka arritur ende të marrë në pyetje as Ylli Brahimin i cilli mbetet në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës.
28 vjeçari Klisman Preçi dhe 46 vjeçari Ylli Brahimi, edhe më herët kanë qenë objektiv të atentateve, ndaj një prej pistave kryesore të hetimit është e shkuara e tyre e dyshuar me lidhje kriminale.