Padi për naftën që nuk morën! Fermerët e Vaut të Dejës kërkojnë hetim për ndarjen e subvencioneve
Fermerët e Vaut të Dejës kërkojnë hetim për ndarjen e naftës pa akcizë si pjesë e skemave mbështetesë të qeverisë shqiptare, për të cilën ngrenë dyshime abuzimi nga Kryebashkiaku dhe institucionet lokale.
Pas dy protestave, fermerët e Vaut të Dejës nisën përballje ligjore me institucionet për mosmarrjen e naftës pa akcizë siç kishte premtuar qeveria shqiptare.
Paditën në prokurorinë e Shkodres kryebashkiakun e Vau Dejësit Mark Babanin dhe drejtoreshen e agjensisë për zhvillim bujqësor dhe rural Eranda Selmanaj.
I akuzojnë për shkelje të ligjit për subvencionimet.
"Bashkia e Vaut të Dejës ka abuzuar me të drejtën që i është dhënë, sipas pikës 12 në lëshimin e kontratave për qiramarrjet që kanë qenë fiktive dhe të falsifikuara me qëllim abuzimin me fondet publike. Rezulton se janë shpallur fitues punonjës të administratës së drejtorisë së bujqësisë dhe bashkisë së Vaut të Dejës, pjestarë të familjeve të tyre si dhe të afërm të tyre që nuk plotësojnë as edhe një kriter për të qenë fitues, pasi nuk kanë tokë të punuar," tha një nga banorët.
Nëse prokuroria e Shkodrës nuk ju jep një zgjidhje, atëherë rruga tjetër do të jetë drejt SPAK.
"Kanë marrë naftën ata që se meritojnë. Ata që e meritojnë nuk e kanë marrë, kanë tokë djerrë," tha një fermer.
"Nëse nuk do të ketë as edhe një reagim, ne do ti drejtohemi prokurorisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar" tha ai.
Fermerët e Vaut të Dejës akuzojnë bashkinë dhe drejtorinë rajonale të Bujqësisë në Shkodër se ndarja e naftës është bërë mbi baza politike duke përjashtuar fermerët e djathtë edhe pse fillimisht janë shpallur fitues të skemës mbështetese.