Shabani: Berisha është në dijeni se përse është shpallur “Non Grata” nga Britania, por po bën lojëra politike

Kreu i PD, Sali Berisha, një ditë më parë (22 Korrik) bëri të ditur se i ësht ndaluar hyrja në Britani, ndërkohë ditën e sotme i ka dërguar një letër të hapur ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar, ku kërkon dhe arsyet e këtij vendimi.

Në një intervistë për Ora Neës, me gazetaren Kostana Morava, analisti Endri Shabani tha se Berisha i di shumë mirë arsyet se përse ka ardhur një vendim i tillë nga Britania, por sipas tij ai po kërkon që të bëjë lojëra politike.

Sipas tij Berisha ka vjedhur nga fondet e SHBA dhe Britanisë.

Endri Shabani: Berisha i di arsyet se për çfarë e kanë shpallur “Non Grata” por është një strategji e tij për të thënë se dy nga vendet më të fuqishme të botës  janë të korruptuar. Berisha e bën këtë për konsum të brendshëm. Në 32 vjet ne marrim ndihma nga BE, ndihma nga Britani, ndihma nga Amerika dhe në vend që të shkojmë për të ndërtuar ura e shkolla, kanë shkuar për të ndërtuar vila në Gjirin e Lalzit. Berisha është një nga këta. Berisha i humbi mundësinë Shqipërisë që të hynim në një stad tjetër zhvillimi. Por pamë shpërthimet e Gërdecit, pamë se si vrau njerëz në Bulevard. Berisha nuk është një ëngjëll. Fatkeqësia është se ai ka kapur për fyti një parti politike të cilën mesa duket do ta marrë me vete.

Sipas tij, duke qenë Berisha në opozitë Edi Rama është shumë komod në pushtet.

Endri Shabani: Duke qenë Berisha në opozitë Rama është shumë komod në pushtet . Ky është problemi.  Më interesuari sot që Berisha të jetë aty ku është sot është Edi Rama. I krijon bindjen njerëzve që nuk ka alternativë. Me këtë gogol Rama vazhdon të qëndrojë, dhe jo vetëm duke ju thënë shqiptarëve, por duke ju thënë dhe ndërkombëtarëve.