Sot betohet presidenti i ri, Bajram Begaj merr detyrën e kreut të shtetit, PD bojkoton seancën

Ditën e sotme, 24 Korrik, Bajram Begaj do të betohet në Kushtetutë  dhe përpara Kuvendit, për t’u nisur më pas drejt Presidencës ku do të mbajë një mandat 5-vjeçar.

Seanca në të cilën do të mbahet betimi i Begajt është thirrur të zhvillohet në orën 18:00. Tekstin e betimit në Presidencë, Begajt do t’ia lexojë kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tushaj.

Ky i fundit pas betimit do të niset drejt Presidencës, aty ku do të pritet nga  Ilir Meta përmes një ceremonie shtetërore, ku do t’i dorëzojë zyrtarisht dhe detyrën.

Në Kuvend kanë konfirmuar pjesëmarrjen të gjithë partitë, ndërkohë deputetët mbështetës së Sali Berishës, nuk do të jenë pjesë në betimin e Begajt.

Bajram Begaj u zgjodh presidenti i ri i Shqipërisë në qershor me 78 vota që ishin në favor të tij. Grupi i deputetëve të Enkelejd Alibeajt dhe Sali Berishës bojkotuan procesin, teksa nga opozita morën pjesë Mesila Doda, Shpëtim Idrizi, Nusret Avdullai nga PDIU, Monika Kryemadhi, Petrit Vasili, Erisa Xhixho nga LSI dhe tre deputetë të PSD, Gertjan Deda, Gledis Çeliku dhe Meri Markiçi.

Partia Demokratike nuk mori pjesë në votimin për zgjedhjen e Begajt në postin e Presidentit,  pasi sipas tyre presidenti ishte zgjedhje e njëanshme nga PS.

Ndërkohë Ilir Meta, i cili u vendos në krye të shtetit më 24 korrik të 2017, me 88 vota, nga sot do të dorëzojë detyrën. Sipas deklaratave që kanë dhënë zyrtarët e LSI-së, Meta, pritet të rikthehet sërish në parti.