Prishtina, destinacioni i fundit i Metës si President: Keqardhje, mund të kisha bërë më shumë për Kosovën

Në vizitën e fundit si president, Ilir Meta nga Prishtina ka shprehur keqardhjen që në 5 vite si president nuk ka bërë aq sa duhej për shtetin e Kosovosë. Ndërkohë Gjykata Speciale ka përplasur edhe njëherë në distancë Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.

Ilir Meta zgjodhi Kosovën për të zhvilluar vizitën e fundit zyrtare si President. Në pritjen zyrtare nga homolgia kosovare Vjosa Osmani, Meta bëri edhe gjestin patriotik, simbolin e shqiponjës.

Të gjithë vëmendjen e konferencës për shtyp mes dy krerëve të shtetit e mori procesi gjyqësor ish zyrtarëve të Kosovës në gjyqin e Hagës. Në përmbyllje të misionit të tij si President, Ilir Meta tregoi pishmanin e tij që nuk ka bërë aq sa duhet për Prishtinën zyrtare

Ilir Meta: E dashur Vjosa nuk pranoj asnjë falënderim sepse kam bërë detyrën kushtetuese por dhe morale siç e ka dhe çdo qytetar i Shqipërisë. E vetmja keqardhje që kam është se mund të kisha bërë edhe më shumë në përkrahjen e Kosovës nëse do të kisha më pak probleme të brendshme në vendin tim gjatë këtyre 5 viteve. Ju jap fjalën se nga dita e hënë 25 në mëngjes do të bëj shumë më tepër edhe për Kosovën. Ajo që dua sot tju falenderoj për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi pasur me ju dhe me institucionet e Kosovës. Jam i binur që dhe presidenti i zgjedhur do të vazhdojë këtë traditë pozitive.

Por me një gjuhë diplotike u dha një një këshillë drejtuesve të Shqipërisë dhe Kosovës se si ta forcojnë marrëdhënien mes dy popujve vëllezër dhe prezantimin e tyre në arenën ndërkombëtare.

Ilir Meta:"Kemi një detyrë që të paktën shpinën tia ruajmë njëra tjetrës në çdo sekond" 

Rezoluta kundër Dick Marty e miratuar me 125 vota nga parlamenti i Shqipërisë për Presidenten e Kosovës nuk ka asgjë të re, por ajo kërkon nga vendi ynë lobim për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Vjosa Osmani është përfshirë edhe në debatet politike të vendit tonë për akuzat mes Ramës dhe Berishës se cili nga këta ndikoj në çuarjen përpara dhomave speciale të hetimit të drejtuesve të UÇK-së. Edhe pse nuk përmendi emra, por duke nënkuptuar Kryeministrin Rama, Presidentja Osmani, u shpreh se Kosova nuk e harron se kush insistonte më shumë për themelimin e Gjykatës Speciale.

Vjosa Osmani: “Ne nuk harrojmë se sado që dikush dhe mund ta ketë një dëshirë të tillë, se kush insistonte më së shumti dhe kush bënte presion më së shumti që të themelohej Gjykata Speciale para disa vitesh. Nuk e harrojmë sado që dikush të ketë një dëshirë të tillë”

I menjëhershëm ka ardhur edhe reagimi i Ramës nga Pogradeci, duke mos e fshehur krizën ndërmjet tij dhe numrit 1 të shtetit të Kosovës, deklarata e së cilës i ka cilësuar dokrra.

Edi Rama: Mosvotimi dje në Kuvend nga ana e të damkosurit si NonGrata (tanimë jo vetëm nga SHBA) i rezolutës për hedhjen poshtë në mungesë totale provash të raportit të Dick Marty, është një tjetër arsye neverie për politikën pa din e iman të kinse patriotëve kundër Kosovës!

Sa për dokrrat e tjera turbopatriotike, që e kanë kthyer politikën e jashtme të Kosovës në politikë të brendshme të Kosovës e Shqipërisë bashkë, Partia Socialiste e Shqipërisë as nuk i ka prodhuar as nuk i prodhon, as i ka çmuar e as i çmon ndryshe përveçse si kotësisht të dëmshme"

Ilir Meta pas 5 vitesh është rikthyer në Parlament për t’u drejtuar politikanëve të Kosovës, pavarësisht se mesazhi i fjalimit të tij i adresohej Shqipërisë. Presidenti kërkoi nga drejtuesit shqiptar që të punojnë më shumë për anëtarësimin e Prishtinës zyrtare në NATO.

Të djelën në orën 19:30 Ilir Meta do të dorëzojë detyrën e tij si Kreu i Shtetit, me anë të një ceremonie zyrtare, Presidentit të zgjedhur Bajram Begaj.