Postieri vodhi 6 mln lekë nga pensionet e ndihma ekonomike, arrestohen drejtuesit e Postës në Dibër
Një ish punonjës i Postës Shqiptare në Dibër është shpallur në kërkim pasi akuzohet, se për një periudhë disa mujore, u ka vjedhur pensionet dhe ndihmën ekonomike të moshuarve dhe familjeve në nevojë në zonën e Kastriotit. Dy drejtuesit e Zyrës së Postës u vunë në pranga.
Përgjatë periudhës Janar-Maj të këtij viti, shumë të moshuar dhe familje në nevojë në Kastriot të Dibrës, nuk i morën pensionet dhe ndihmën ekonomike.
Lekët, që për disa prej tyre siguronin bukën në tryezë, ishin vjedhur nga njeriu që shteti paguante për t'ua dërguar deri në zonën malore.
Postieri Gazmir Hasi falsifikonte mandat - pagesat duke firmosur në emër të të moshuarve.
Me këtë skemë, ai dyshohet se ka vjedhur rreth 6 milion lek të reja.
Kur skema është denoncuar, prokuroria provoi skemën e abuzimit ngritur nga punonjësi i Postës Shqiptare në Dibër.
Por Gazmir Hasi gjatë kësaj kohe e ka lënë punën si postier dhe është zhdukur, ndaj me vendim gjykate 33 vjeçari është shpallur në kërkim.
Hetimet kanë vijuar me verifikime në zyrën e Postës Shqiptare në Dibër.
Drejtori i degës postare të Dibrës, Ilir Vrança, 64 vjeç dhe kryetari i Zyrës së Shërbimeve dhe Marketingut në Postën e Dibrës, Xhevdet Doda, 64 vjeç u vunë në pranga për shpërdorim detyre.
Dy drejtuesit e postës, akuzohen se nuk e kanë pikasur vjedhjen edhe pse në dokumentacionet e plotësuara në mënyrë fiktive ka parregullsi.
Dyshimet janë se ata ishin në dijeni se postieri po u vidhte bukën e gojës pensionistëve dhe familjeve në nevojë në Kastriot të Dibrës.
