"Këtu kërcet kallashi ditën për diell!" Korreshi: Nuk ka më as çifte bam, as zagarë ham, por vetëm hashash me nam
Debatit të gjatë dhe të tensionuar të ditës ia lanë vendin notave ironike në orët e mbrëmjes në seancën plenare maratonë në Kuvend.
E kush më mirë se deputeti demokrat i Lushnjes, Saimir Korreshi, i njohur për shpërfaqjen e realitetit me doza humori.
Korreshi kësaj radhe u ndal te rendi dhe siguria në vend duke thënë se në vend kërcet kallashi ditën për diell.
Duke shprehur qëndrimin e tij kundër projektligjit “Për shpalljen e moratoriumit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë, ai tha se këtu kërcet kallashi në mes të ditës dhe vritet njerëzit, ndërsa qeveria bën sikur i dhimbsen harabelat.
Korreshi: Shpresoj që me veshjet me pantallona të shkurtra, e shapka me gisht, të keni mundësi të na ndiqni edhe ju që keni shkuar me pushime në plazh. Ministrja foli, por më mori vajza 3 vjet e gjysmë dhe më tha “sa mirë i tregonte përrallat ajo teta”. Nuk ka më as çifte bam, as zagarë ham, por vetëm hashash me nam. E them kështu, sepse ju vendosni vetë çdo gjë, nuk pyesni asnjë lloj kategorie, as ekspertë të kësaj fushe, ju i bëni sipas interesit tuaj. Por, komunistët dhe servilët e partisë, s’e kanë ndaluar asnjëherë. Këtu o zotëri kërcet kallashi ditën për diell, sepse qeverisë juaj nuk i dhimbsen njerëzit, por i dhimbsen rosat, patat e harabelat. Çfarë po bëni o burri i dheut? Keni 10 vite, ku ka deputetë të PS që kërcasin dyfekun dhe çizmet mëngjes për mëngjes. Nuk keni bërë asnjë gjë. Jeni shtet koti!

