Pas rezolutës në kuvendin e Shqipërisë, Vjosa Osmani mesazh Ramës e Tiranës: Nuk harrojmë kush insistoi për Gjykaten Speciale

Ndonëse Gjykata Speciale në Hagë u themelua për vënien në vend të drejtësisë për krimet që pretendohet se kanë ndodhur në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, në këtë gjykatë të akuzuar janë vetëm persona të nacionalitet shqiptarë të cilët në kohën e luftës ishin pjesëtarë të UÇK-së.

Në konferencën e sotme për medien krah presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, presidentja Vjosa Osmani përcolli dhe një mesazh të gjithë atyre që shumë vite më parë ushtruan presion për të ngritur gjykatën. 

Një prej njerëzve që këmbëngulnin në votimin e kësaj gjykate ka qenë dhe Edi Rama, por presidentja në konferencën për median në Prishtinë nuk përmendi emra.

“Ne nuk harrojmë se sado që dikush dhe mund ta ketë një dëshirë të tillë, se kush insistonte më së shumti dhe kush bënte presion më së shumti që të themelohej Gjykata Speciale para disa vitesh. Nuk e harrojmë sado që dikush të ketë një dëshirë të tillë”

Ngritja e kësaj gjykate ndodhi mes shumë debatesh e presionesh të asaj kohe deri më 3 gusht Kuvendi i Kosovës miratoi Gjykatën.

Parlamenti i Kosovës miratoi me 03 gusht 2015 me shumicë votash ndryshimet kushtetuese, që mundësonin themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte. Atëherë u mbajt një seancë maratonë dhe pro themelimit të Gjykatës Speciale votuan 82 deputetë, 5 ishin kundër dhe një abstenoi amendamentin për ndryshimin e kushtetutës, që mundëson themelimin e Gjykatës Speciale

Kundër themelimit të Gjykatës Speciale ishin tri partitë politike opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën.

Atëherë Hashim Thaçi mbante postin e zëvendës-kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës dhe ishte pro kësaj gjykate. Kryeministër i Kosovës ishte Isa Mustafa.