SHBA-ja paralajmëron Shqipërinë për një kërcënim të mundshëm sigurie gjatë fundjavës

Ambasada amerikane në Shqipëri ka ngritur alarm për një kërcënim të mundshëm që shënjestron një samit të organizuar nga opozita e Iranit në mërgim, që do të mbahet në Durrës më 23 dhe 24 korrik.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara është në dijeni të një kërcënimi të mundshëm, i cili ka në shënjestër takimin botëror të nivelit të lartë të Iranit të lirë, që do të mbahet pranë Durrësit nga 23 deri më 24 korrik”, thuhet në njoftimin e Ambasadës, përmes së cilit udhëzohen qytetarët amerikanë që ta shmangin këtë ngjarje.

Samiti organizohet nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit (NCRI) dhe Organizata e Muxhahedinëve të Popullit të Iranit (MEK), që të dyja grupe që avokojnë përmbysjen e Qeverisë së Iranit.

Në Shqipëri, pranë qytetit të Durrësit, prej vitit 2016 strehohen rreth 3.000 anëtarë të organizatës MEK.

Sipas një njoftimi të bërë pak ditë më parë nga këto organizata, thuhet se “në këtë samit do të marrin pjesë qindra politikanë dhe deputetë të njohur nga të dyja anët e Atlantikut dhe më gjerë. Dhjetëra mijëra iranianë do t’i bashkohen ngjarjes online nga shumë vende të botës".

Ambasada u bëri thirrje qytetarëve të SHBA-ve të shmangin këtë ngjarje dhe të monitorojnë mediat lokale.