Arrestohet gjyqtarja e Gjykatës së Elbasanit, Zamira Vyshka, avokati dhe familjarë të një të dënuari
Gjyqtarja e Elbasanit Zamira Vyshka dhe avokati Ilir Pashaj, ish gjyqtar i larguar nga detyra para vetingut, janë arrestuar me urdhër të SPAK, me akuzën e korrupsionit me një skemë të uljes së dënimit ndaj një shtetasi kundrejt rryshfetit.
Në një njoftim zyrtar, Prokuroria e Posaçme bëri të ditur se ndaj Gjyqtares së Elbasanit është vendosur masa e arrestit në shtëpi për akuzën e korrupsionit pasi dyshohet për rryshfet 400 mijë lekë për uljen e dënimit të një të arrestuar.
Fakti penal i hetuar, lidhet me një rast të korrupsionit aktiv/pasiv në sistemin e drejtësisë (në qytetin e Elbasanit), ku persona të interesuar/familjarë të një shtetasi të arrestuar në bashkëpunim me avokatin mbrojtës Ilir Pashaj, i kanë ofruar gjyqtares shumën monetare me qëllim favorizim në caktimin e masës së dënimit" deklaroi SPAK sot (22 korrik 2022)
Për këtë skemë korruptive prokuroria ka vënë nën akuzë pesë persona ku në orët e para të ditës është ekzekutuar masa e sigurimit “Arrest në shtëpi”, për shtetasen Zamira Vyshka, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Elbasan.
Po kështu janë ekzekutuar masat e sigurimit “Arrest në burg”, për shtetasin Ilir Pashaj, me detyrë avokat mbrojtës, si dhe për shtetasit Taulant Ramollari, Xhulio Musaj ndërkohë që është ekzekutuar masa e sigurimit “Arrest në shtëpi”, edhe për shtetasin me iniciale A.T.
Burimet nga hetimi sqaruan se në tetor të vitit 2021, avokati Ilir Pashaj, i cili ka qenë gjyqtar u tha familjarëve të shtetasit Xhulio Musaj, i arrestuar për plagosje se do i ulte 6 muaj burg për 200 mijë lekë.
Pas takimit me gjyqtaren ai kërkoi 400 mijë lekë, por familjarët e kundërshtuan dhe nuk pranuan të paguanin këtë shumë.
Biseda mes avokatit të familjarëve të të arrestuarit mësohet se është përgjuar ku ata kanë kundërshtuar ofrimin e kësaj shume.
LAJMI NE PERDITESIM
0ra 10:05 DETAJI/ 400 mijë lekë për ulje dënimi, avokati i arrestuar Ilir Pashaj. Ish gjyqtari i Elbasanit dha dorëheqjen sa nisi vetingu
Ora News mëson detaje nga dosja hetimore që çoi në arrestimin e gjyqtares së Gjykatës së Elbasanit Zamira Vyshka.
Dyshohet se shuma që I është ofruar është rreth 400 mijë lekë për të favorizuar dënimin për Xhulio Musaj, raporton gazetari i Ora News, Elton Qyno.
Ngjarja bëhet fjalë të ketë ndodhur në tetor të 2021.
Ndërkohë avokati Ilir Pashaj ka qenë gjyqtar në gjykatën e Elbasanit deri në 2017 kur dhe ka dhënë dorëheqjen ditën e fundit të dorëzimit të formularit të vettingut.
Ora 09:11 Arrestohet gjyqtarja e Gjykatës së Elbasanit, Zamira Vyshka, avokati dhe familjarë të një të dënuari
Gjyqtarja e Gjykatës së Elbasanit, Zamira Vyshka është arrestuar pasi akuzohet për favorizim të caktimit të masës së dënimit të një të arrestuari.
SPAK ka arrestuar edhe avokatin mbrojtës si dhe 3 persona të tjerë, që mendohet se janë familjarë të të arrestuarit.
Hetimet kishin nisur në 2021.
“Fakti penal i hetuar, lidhet me një rast të korrupsionit aktiv/pasiv në sistemin e drejtësisë (në qytetin e Elbasanit), ku persona të interesuar/familjarë të një shtetasi të arrestuar në bashkëpunim me avokatin mbrojtës, i kanë ofruar gjyqtarit të çështjes një shumë monetare me qëllim favorizim në caktimin e masës së dënimit” thuhet në njoftimin e SPAK.
Pas analizimit të provave të grumbulluara në kuadër të këtij procedimi penal nga Prokuroria e Posaçme, i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesa për caktimin e masave të sigurimit.
Më 21 korrik Gjykata e Posaçme mori vendimin nr. 64 që cakton masat të sigurimit personal për 5 (pesë) shtetas ndërsa sot (22 korrik 2022) u ekzekutuan masat e sigurisë nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Masat e sigurisë të ekzekutuara sot
Gjyqatarja Zamira Vysha në masë sigurie ‘arrest shtëpie”
Avokati Ilir Pashaj në masë sigurie “arrest me burg”
Taulant Ramollari, Xhulio Musaj në masë sigurie “arrest me burg”
A.T në masë sigurie “arrest shtëpie”
Hetimet
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.209 të vitit 2021, për veprat penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal, “Korrupsionit pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, parashikuar nga nenet 319/ç të Kodit Penal, si dhe “Moskallëzimi i krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.
