Meta: Gjyqi në Hagë kundër shtetësisë së Kosovës, kemi detyrë të ruajmë shpinën njëra-tjetrës në çdo sekond
Presidenti në largim i Shqipërisë Ilir Meta tha se rezoluta kundër raportit të Dick Marty është e rëndësishme dhe pozitive.
Meta tha se dhe zyrtarët kosovar të cilët ndodhen në Haga do të dinë ta mbrojnë me dinjitet këtë luftë të drejtë të popullit të Kosovës.
Ekzistencën e një koordinimi të përditshëm mes dy vendeve me qëllim forcimin e pozitës së Kosovës, Meta e sheh si diçka e cila duhet të jetë prezente.
Ilir Meta: Jo vetëm rezoluta e djeshme por çdo akt që i shërben demontimit të akuzave të Dick Marty apo kushdo qoftë por ne e dimë që kush ka qëndruar dhe kush qëndron pas këtyre akuzave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pra gjithçka është e rëndësishme dhe pozitive. Shpreh bindjen se dhe ish presidenti Thaçi, ish kryeparlamentarët Veseli dhe Krasniqi dhe zyrtarë të tjerë do të dinë ta mbrojnë me dinjitet këtë luftë të drejtë të popullit të Kosovës dhe Kosova e Shqipëria duhet të bëjnë gjithçka në mbështetje të kësaj beteje. Uroj që shumë shpejtë të kthehen në Kosovë. Shqipëria dhe Kosova duhet të koordinohen çdo ditë më njëra tjetrën, por dhe me fqinjët e tjerë. Nuk është thjesht çështje e një procesi kundër drejtuesve të UÇK, është një proces kundër shtetësisë së Kosovës, është një proces kundër pavarësisë së Kosovës. Është një proces kundër forcimit të pozitës së Kosovës. Duhet të koordinojmë çdo ditë që shtetësia dhe pozita e Kosovës të forcohet më tej. Të dyja si shtete kemi një detyrë që të paktën shpinën njëra-tjetrës t’ja ruajmë në çdo sekond dhe të forcojmë rrugën europiane.
Kuvendi i Shqipërisë votoi dje unanimisht, me 125 vota të deputetëve, rezolutën me të cilën synon të hedhë poshtë akuzat për trafikimin me organe të qenieve njerëzore gjatë luftës në Kosovë, pretendime që burojnë nga një raport i Këshillit të Evropës.

