Ceremonia për Dëshmorin e Atdheut Anri Kashiku, babai: Kjo që më ndodhi mua, mos i ndodhtë askujt! Preket dhe vrojtuesi: Më falni që…
Në një ceremoni të organizuar në Kryeministri në nder të sakrificës së “Dëshmorit të Atdheut” Anri Kashiku,shefi i qeverisë Edi Rama i dorëzoi babait të të ndjerit shenjën e posaçme të kujtimit dhe mirënjohjes së kombit: simbolin e “Familjes së Dëshmorit të Atdheut”.
Në fjalën e tij Rama tha se përfitimi i statusit nuk e shuan dhimbjen në zemrat e familjarëve të Anrit por lehtëson sadopak plagën e tyre.

Rama: Përfitimi i statusit të Dëshmorit natyrisht nuk e shuan pikëllimin e thellë të familjarëve, nuk e shuan dhimbjen e tyre por mbase lehtëson sadopak një plagë që fatkeqësisht do të qëndrojë aty në zemrën e babait, familjarëve, vëllait dhe të afërmve. Është detyrim yni të nderojmë çdo shqiptar. Babai i Anrit është një burrë punëtor në emigracion. I kishte dhënë fjalën se do të takoheshin së shpejti dhe jeta e solli që të mos e takonte dot djalin por të kthehej në Shqipëri për ti dhënë lamtumirëne fundit.
Qeveria është zotuar që ti mbrojë fëmijët e të rënëve kudo në Shqipëri dhe ky zotim u finalizua me miratimine statusit të veçantë. Por në këtë rast Anri vetë ishte një fëmijë, u bë simbol i një vetëmohimi ekstrem për të përmbushur një mision që disave ua sjell rruga e profesionit, disa të tjerëve një moment i gabuar që askush nuk e ka në dorë por që në atë moment bëjnë gjënë e duhur. Nëse Anri nuk do ishte sakrifikuar, jetët e humbura do ishin dy. Kjo na bën të kujtojmë se heronjtë dhe dëshmorët nuk janë njerëz të rënë nga qielli, por njerëz të zakonshëm.

Babai i Anrit me dhimbjes që e ka të freskët akoma pati vetëm një urim.

"Kjo që më ndodhi mua shpresoj mos ti ndodhë askujt në botë. Është një dhimbje që nuk ka fjalë".
Rama vlerësoi gjithashtu edhe vrojtuesin Igli Shahini me Medaljen e Kryeministrit për Vlerësim Profesional, duke vlerësuar aktin trimëror të tij.

Me zërin që i dridhej dhe sytë gati në lot, ai tha vetëm këto fjalë për familjarët e Anri Kashikut.
"Më falni që nuk munda të shpëtoj dhe djalin tuaj të madh të ishte pranë jush sot".
Anri Kashiku u mbyt në Durrës me 14 korrik, gjatë një tentative fatale për të shpëtuar vëllain dhe një shok të vëllait të cilët po mbyteshin në det.
