Edhe BE pro hartës së re gjyqësore, ndërsa Ambasada gjermane kujton: Sundimi i ligjit, parësor për anëtarësim në BE

Pas SHBA, edhe delegacioni i BE-së në Tiranë përshëdeti miratimin e hartës së re gjyqësore nga qeveria.

"Miratimi i sotëm i hartës së re gjyqësore nga Këshilli i Ministrave është një hap i rëndësishëm për të përmirësuar efikasitetin e gjykatave në Shqipëri. Harta e re, e zhvilluar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, është rezultat i një procesi të gjerë konsultimi dhe është zhvilluar me mbështetjen e ekspertëve të BE-së, Këshillit të Evropës dhe SHBA-së. Një plan solid zbatimi tani është kyç.Bashkimi Evropian mbetet një mbështetës i fortë i reformës në drejtësi në Shqipëri" thuhet në reagim.

Ndërsa ka ndarë këtë qëndrim në faqen e saj zyrtare, Ambasada gjermane thotë se sundimi i ligjit është tejet parësor në procesin e anëtarësimit të ShqiPërisë në BE.

"Bisedimet për anëtarësim në BE kanë filluar! Gjermania do të vazhdojë të mbështesë më tej Shqipërinë, edhe në hapat e ardhshëm të zbatimit të reformës në drejtësi. Lufta kundër pandëshkueshmërisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar mbeten synimet kryesore të reformave në Shqipëri. Në procesin e anëtarësimit sundimi i ligjit është tejet parësor".