Meta letër Kuvendit për çështjen e detit: I hapur për bashkëpunim edhe përtej 24 korrikut

Tre ditë para përfundimit të mandatit, Presidenti Ilir Meta i ka kujtuar qeverisë edhe njëherë çështjen e kufijve detarë me Greqinë, për të cilën asnjë zyrtar i qeverisë nuk është pajisur nga Presidenti për të negociuar për këtë çështje. Kreu i Shtetit i ka dërguar një letër Kuvendit ku ka listuar, sipas tij, problematikat e konstatuara përgjatë këtyre negociatave duke theksuar se ato janë ende të hapura.

Në letrën e tij prej 12 faqesh drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, Presidenti Ilir Meta tre ditë para përfundimit të mandatit të tij akuzon kryeministrin Edi Rama se ka dobësuar pozitat e palës shqiptare ne këtë çështje dhe shprehet se çështja e detit mbetet ende e hapur.

Meta thekson se deklaratat dhe qëndrimet publike të Kryeministrit Rama përmes të cilave ka pohuar apo mbështetur zgjerimin e ujërave territorialë të palës Greke në 12 milje detare apo mbylljen e gjireve, dobësojnë pozitën dhe strategjinë negociator të palës shqiptare.

Ai ka rikthyer dhe një herë në vëmendje se Rama me mungesën e  sinqeritetit me papjekurinë e tij apo mosnjohjen e ligjit ka keqinformuar autoritetet greke se pengesë është bërë presidenti Meta për çështjen e detit.

Sipas tij çështja ka vajtur në Gjykatat Ndërkombëtare, pa autorizimin e Presidencës.

Shqipëria zyrtarisht është në proces për të hapur negociatash me Republikën e Greqisë, ndërsa thotë se Presidenti i Republikës nuk është informuar zyrtarisht nga Kryeministri se me çfarë akti, Qeveria ka kaluar nga procesi negociator sipas Kushtetutës dhe të drejtës ndërkombëtare, në zhvillime negociatash në nivel politik për këtë çështje, e aq më tepër të deklarohet paraprakisht se cila do të jetë rruga që do të ndiqet.

Presidenti kërkon që kjo çështje të zgjidhet sa më parë në përputhje me Kushtetutën.

Dokumenta bashkëngjitur