Afera e kokainës në banane, 49 arkat u vodhën në 13-14 korrik 2022: Kontejneri u lëviz nga vendi natën

Një seri shkeljesh ka gjetur prokuroria e Durrësit tek administrata e portit në skandalin e zhdukjes së 49 kutive me banane nga kontejneri i kompanisë “Bana King”. Kontejneri dyshohet se është hapur natën mes 13 dhe 14 korrikut ku janë marrë arkat me banane me mbishkrimin “jumbo bana king” të cilat janë zhdukur. Pikërisht atë natë, zyrtarët e sigurisë në port kanë caktuar vetëm një punonjës roje nga dy që duhej të ishin në shërbim roje e vëzhgim sipas rregullores. 

Një pjesë e mirë e administratës së portit të Durrësit është implikuar në skandalin e vjedhjes së arkave nga kontejneri i porositur me banane nga kompania “Bana King”.

Sipas prokurorisë së Durrësit kontejneri me targa AA 675 RD ka mbërritur në portin e Durrësit më 8 korrik 2022 ndërkohë që zhdukja e 49 arkave me banane ka ndodhur në intervalin nga kjo datë deri në 16 korrik.

Denoncimi i ngjarjes që besohet se lidhet me trafikun e kokainës është bërë nga autoriteti portual i Durrësit që ka konstatuar heqjen e plumbçeve të sigurisë së kontejnerit gjatë kohës që ai ishte në mbikëqyrje dhe kontroll në port në vendin ku ruhen kontejnerët.

Pas hapjes së kontejnerit, është konstatuar se në dokumentacionin shoqërues ishin shkruar 1200 kuti banane me mbishkrimin “jumbo bana king” të ndara në 6 rreshta. Gjatë kontrollit është konstatuar se rreshtat e mesit kishin mungesë dhe zhvendosje të disa kutive ku mungonin 49 prej tyre.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë është konstatuar se nga 8 korriku deri në 16 korrik, gjatë orëve të natës janë hequr një sasi prej 49 kuti me banane.

Pas konstatimit të ngjarjes, policia gjyqësore ka sekuestruar praktikën dhe ka bërë këqyrjen e dokumenteve ku ka rezultuar se në kontejner ishin 1151 kuti dhe jon 1200 kuti me banane që duhej të ishin në kontejner sipas dokumentacionit të dorëzuar në momentin e mbërritjes dhe shkarkimit të kontejnerit në portin e Durrësit.

Me deklaratën doganore datë 15 korrik 2022 shoqëria “Zico” ka deklaruar banane të freskëta të papjekura në sasi 22800 kilogramë. Nga hetimet ka rezultuar se kontejneri nuk ka qenë I mbuluar me shërbim roje në datat 13 dhe 14 korrik 2022.

 Prokuroria ka këqyrur dokumentacionin dhe ka zbardhur emrat e gjithë personave që kanë kryer roje në sheshin ku mbahen kontejnerët në port.

Punonjësit janë marrë në pyetje dhe kanë shpjeguar procedurat e ndjekura gjatë shërbimit dhe se nuk kanë konstatuar apo raportuar ndonjë veprim të kundraligjshëm.

Prokuroria thotë se nga këqyrja e kamerave deri në datën 10 korrik nuk rezulton të ketë lëvizje të kontejnerit objekt hetimi ndërkohë që më 13 korrik 2022 në orën 21.57 kontejneri është lëvizur nga kati i parë në katin e tretë ndërkohë që atë natë dhe të nesërmen përgjegjësi i rojave ka planifikuar vetëm një person për vëzhgim ndërkohë që sipas rregullave dhe nevojave të punës duhej të ishin dy persona.