I kanë mbaruar afatet e paraburgimin, gjykata refuzon për herë të tretë lirimin e Arsen Stojkut, i akuzuar në vrasjen e Bilalëve

Arsen Stojku, një prej emrave të akuzuar nga prokuroria e Shkodrës si autori i vrasjes në 30 Mars 2019 të vëllezërve, Brahim dhe Astrit Bilali, ka humbur betejën e tretë ligjore, për të shuar masën e sigurisë “Arrest në burg” dhe përfituar lirinë.

“Ora News” mëson se Stojku akuzohet nga prokuroria, për “Vrasje në rrethana cilësuese” në dëm të dy personave dhe “Mbajtje pa lejë të armëve”, krim ky që parashikon një dënim nga 35 vite në burgim të përjetshëm.

Por Stojku, pretendon se i kanë përfunduar afatet e paraburgimit dhe se çështja gjyqësore, tashmë duhet të kishte përfunduar, dhe gjykata e Shkodrës, të dilte me një vendim përfundimtar.

Por fakti se që në muajin Prill 2022, është përmbushur periudha 3 vjeçare e qëndrimit në paraburgim, dhe aktualisht çështja penale, ende nuk është zgjidhur me një vendim përfundimtar, ka sjellë reagimin e Arsen Stojkut, që të kërkojë shuarjen e masës së sigurisë “arrest në burg” dhe caktimin e masës “arrest shtëpie”.

Kërkesa e tij është gjykuar ditën e martë në gjykatën e Shkodrës, dhe pas analizimit të çështjes treshja e gjyqtarëve e kryesuar nga Hasan Selimi, ka vendosur ta rrëzojë kërkesën e të këtij të arrestuari, për shkaqe proceduriale.

Sipas trupit Gjykues, kërkesa ishte e paplotësuar, pasi mungonin kopjet e vendimeve të Gjykatës së Lartë, që avokati mbrojtës i Arsen Stojkut, i ishte referuar si praktikë ligjore që sjell shuarjen e masës së sigurisë “arrest në burg”.

Kjo është hera e tretë që Arsen Stojku, ka humbur betejën ligjore për të zëvendësuar masës e sigurisë “arrest në burg”, për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit.

I riu i arrestuar që prej muajit Prill 2019 në Shkodër, nuk e ka pranuar në asnjë moment autorësinë e vrasjes së vëllezërve Bilali. Ai ka treguar para gjykatës së është i pafajshëm dhe po mbahet në burg jashtë çdo afati paraburgimi që parashikon ligji.

Sipas pretendimit në gjykatë të Arsen Stojkut, mbajtja e tij në burg po kryhet vetëm për shkak se është djali i tezes së Mustafa, Sokol dhe të ndjerit Fatbardh Licit në Shkodër.

Stojku, ditën e arrestimit ka pranuar në polici se para vrasjes dhe pas vrasjes së Bilalëve, kishte qene disa herë në shtëpinë e Mustafa Licit, ku është takuar me anëtarë të familjes Lici.

Vizita ka ndodhur 10 ditë para vrasjes së dy vëllezërve dhe transportues i Stojkut, ka qënë i arrestuari tjetër Myslim Rama.

Por Stojku argumenton se vizitat, i ka bërë në kuadër të miqësisë dhe lidhjes së gjakut që ka me Mustafa Licin.

Për vrasjen e vëllezërve Bilali në prokuroria arrestoi në Prill 2019 dhe dy persona të tjerë, Myslim Rama dhe Denis Brahimin, të cilën janë akuzuar dhe dënuar për “Moskallëzim Krimi” dhe “Përkrahje e autorëve të krimit”.

Të dy personat tashmë, kanë mbaruar dënimin dhe liruar, dhe se aktualisht janë larguar nga Shqipëria. Ndërkohë për këtë çështje policia shpalli në kërkim dhe Ibrahim Licin dhe më pas vendosi ta nxjerr nga kërkimi, për shkak të mungesës së provave ndaj tij.

Vrasja e Astrit dhe Brahim Bilalit, u krye në 30 Mars 2019 në derën e shtëpisë së tyre në Shkodër, dhe kjo ngjarje sipas policisë së qytetit lidhet me motivin e përplasjes së hasmërive mes grupeve kriminale.