Trafikantët hoqën 49 arka me kokainë, kontejneri në Durrës,i përket Trifon Murataj. Pranga shoferit dhe menaxherit

“Ora News”, zbulon emrin e kompanisë që posedon kontejneri me banane, i cili u bllokua mëngjesin e sotëm, për shkak se nuk dispononte plumbçet e sigurisë dhe se mungonin brenda tij, plot 49 arka me banane, që dyshohet se brenda kishte kokainë.

Sipas burimeve, kompania që disponon kontejnerin është “Zico Sh.p.k”, e biznesmenit të bananeve Trifon Murataj, i cili qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por biznesi i frutave ekzotikë kryhet në Shqipëri.

Mësohet se kontejneri me banane “Bana King”, ka mbëritur nga Ekuadori në portin e Durrësit në datën 8 Korrik 2022. Ndërsa vetëm ditën e djeshme, punonjësit portualë kanë konstatuar se kontejnerit i mungonin plumbçet e sigurisë.

Nuk dihet me saktësi nëse kontejnerit i janë hequr plumbçet në Durrës apo në ndonjë port tjetër. Por tashmë ajo që dihet është fakti se nga kontejneri janë hequr plot 49 kuti me banane.

Pikërisht në këto kuti, dyshohet se ka pasur pako me kokainë, ndaj dhe janë hequr dhe larguar nga kontejneri. Ndërkohë nga kontrolli fizik dhe numerik i të gjitha arkave me banane, policia dhe prokuroria e Durrësit, nuk kanë gjendur asnjë kilogram drogë.

Me sa duket trafikantët janë treguar më të shkathët, duke arritur ta heqin mallin përpara se të kapej nga policia.

Lidhur me këtë të mundshëm të trafikimit të kokainës, policia e Durrësit ka arrestuar një shofer të kompanisë “Zico”, shtetasin Nazmi Algjata dhe agjentin e shitjeve të kësaj kompanie, shtetasin Altin Muhametaj.

Njëherësh policia arrestoi dhe 20 punonjës të doganës në Portin e Durrësit, të cilët akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

Kjo nuk është hera e parë që kompania “Zico”, është e selektuar si e dyshuar në trafikun e Kokainës, nga vendet e Amerikës Latinë drejt Shqipërisë dhe vendet e tjera të BE-së.

Në fund të dhjetor 2021, në ambientet e kompanisë “Zico” në Vaqar, policia sekuestroi plot 119 kg kokainë, duke sjellë dhe arrestimin e dy shoferëve të kompanisë së bananeve, Gëzim Kalaja dhe Hasan Salihu.

Njëherësh policia arrestoi dhe administratorin e kompanisë “Ziko”, Marson Murataj, i cili fillimisht u arrestua dhe më pas u la në “arrest shtëpie”.

Por ishte Gjykata e Apelit Tiranë, që vendosi të kthejë në burg Marson Murataj. Çështja vijon të hetohet nga prokuroria e Tiranës dhe çuditërisht ky rast nuk i ka kaluar për hetime të mëtejshme, prokurorisë së posaçme SPAK, për ta hetuar dosjen si grup të strukturuar kriminal.

Prokuroria duhet të hetojë lidhjet e tjera kriminale se kush qëndron në kupolën e këtij trafiku ndërkombëtar, që kryhet përmes kontejnerëve të kompanisë “Zico” të Trifon Murataj.