Selenicë, mbajti peng dhe vodhi familjen, autori dyshohet se ka abuzuar seksualisht me nënën dhe vajzat
Ditën e sotme është arrestuar autori i dyshuar që ka mbajtur peng për disa orë nën kërcënimin e armës dhe i vodhi një shumë parash një familje në Selenicë.
Mirëpo detaje të reja kanë dalë në dritë. Policia njofton se pavarësisht se nuk u raportua ditën e djeshme për një abuzim seksual, sot gruaja e shtëpisë, Y.F, 41 vjeçe, ka bërë një denoncim në polici për ngacmim seksual ndaj saj.
Policia dyshon se autori mund të ketë abuzuar seksualisht me të dhe vajzat e mitura që gjendeshin në shtëpi në momentin e ngjarjes.
"Nën kërcënimin e një arme dyshohet se 38-vjeçari ka mbajtur peng për rreth 4 orë familjarët e kësaj familjeje duke lidhur me litarë dy bashkëshortët dhe duke izoluar në një dhomë fëmijët e mitur. Gjatë kohës që ky shtetas ka qëndruar në banesë dyshohet se ka ngacmuar seksualisht shtetasen Y. F. dhe tre vajzat e saj të mitura," njoftoi policia.
Për momentin pritet të dalin analizat mjekësore që do të hedhin më tepër dritë rreth asaj që mund të ketë ndodhur.
