"S`po ngelet as për kashtë", insektet dëmtojnë parcelat me misër në Maliq

Në Maliq sipërfaqet e mbjella me misër po shkatërrohen nga insektet. Bujqit thonë se dëmet janë të mëdha ndërsa nuk kanë lekë për spërkatje.

Ky insekt po rrezikon të mbjellat në Maliq të Korçës. Misri në fusha është dëmtuar.

Njihet me emrin Diabrotica Vergifera dhe shkatërron bimën që në rrënjë.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Festim Kupe këtë vit ka mbjellë 60 hektarë me misër. Thotë se afro 80% e sipërfaqes së kultivuar tashmë është dëmtuar.

"Ka dëmtuar rrënjët në fillim fare, tani ka filluar pret mustaqet e misrit dhe nuk bëhet pjalmimi i misrit xhufkëmustaqe. Gati 80% e prodhimit ka dëmtime, se s'janë vetëm tokat këtu ku ka rënë," thotë një fermer.

Spërkatja mund të frenojë përhapjen e insektit por bujqëve ju kushton shumë.

"Spërkatja ka kosto. Shkon rreth 75-80 mijë lekë të vjetra hektari," thotë ai.

Pas ngritjes së shqetësimit nga kultivuesit specialistët  e Bashkisë së Maliqit kanë dalë në terren për inspektim.

Ata paralajmërojnë se këtë vit rendimenti do të jetë i ulët ndërsa nuk dihet ende nëse do të ketë dëmshpërblim për bujqit.

"Janë përcaktuar preparatet që do të përdoren për këtë qëllim. Edhe efekti ka qenë shumë i mirë, por problemi qëndron se bima është mjaft e zhvilluar dhe ka dëmtime dhe thyerje të bimëve të misrit gjatë zpërkatjes," thotë ai.

Ndërkohë në shumë zona bujqësore të vendit këtë vit fermerët ankohen se prodhimi i tyre po dëmtohet nga karkaleci apo insekte të tjera.