Lot e trishtim në sytë e banorëve të Kombinatit, Bashkia i nxjerr në rrugë: Na shkatërruan shtëpi e biznese
Banorët e Kombinatit janë urdhëruar të lirojnë banesat pasi preken nga projekti i bashkisë së Tiranës për rindërtimin. Pa u dhënë një dokument zyrtar apo një informacion se ku do të shkojnë, IMT u ka kërkuar të lirojnë objektet e banimit, të cilat janë planifikuar për tu shembur. Ata thonë se edhe bonusi i qirasë po ofrohet në mënyrë selektive.
Pjetër Gjeloshit, i cili prej 30 vitesh jeton në këtë zonë në Kombinat, i kanë kërkuar të lirojë shtëpinë, e cila preket nga projekti i rindërtimit të bashkisë së Tiranës për familjet e prekura nga tërmeti.
"Nuk ka ardhur askush për informacion, na ka ardhur letra. Disa familjarë kanë fillu me e zhvesh, kanë ikur. Nuk ka ardhur askush të na thotë ku do shkoni, sa do prisni."
Pa i shpjeguar motivacionin dhe pa i dhënë asnjë dokument dëmshpërblyes, banorët janë urdhëruar të lirojnë shtëpinë.
"Nuk na kanë thënë ku do shkoni, as se kush janë. E prishën dhe ikën."
"T'ja dhurosh bashkisë, unë nuk kam qejf t'ja dhuroj. Ata sollën urdhrin tjetër që në datë 14 të shembet."
I njëjti njoftim është dhënë edhe për bizneset.
"Unë nuk përfitoj asgjë. Je biznes, dëmtohesh dhe kaq. Me taksa të paguara, nuk i kam asnjë borxh shtetit. Liroje vullnetarisht thotë.Si ta liroj unë pronën time?".
Disa prej tyre kanë trokitur në dyert e gjykatave.
"I jam drejtuar gjykatave, do merrem sipas ligjit."
Të tjerë nuk e kanë gjetur drejtësinë edhe pse e kanë fituar gjyqet me shtetin.
"Dy gjyqet e para i kemi fituar, IMT e kundërshton vendimin e gjykatës. Mirëpo nuk pret as sa të shprehet gjykata, sjell një letër tjetër për prishje".
Qytetarët thonë se IMT u ka dorëzuar fletushka që nuk kanë as vulë.
"IMT sjell një letër në datë 8, pa vulë, vetëm me fotokopje."
Sipas banorëve, bonusi i qirasë po u jepet vetëm disave pa transparencë për mënyrën e përzgjedhjes.
"Ca kanë marrë bonus, unë nuk kam marrë bonus."
"As unë nuk kam marrë bonus, as na ka ofruar askush asgjë."
16 familje dhe disa biznese preken në këtë zonë të Kombinatit për shkak të projektit të rindërtimit pas tërmetit të 2019.
Por nëse disa i detyroi fatkeqësia natyrore të dalin në rrugë, të tjerë qeveria po i nxjerr me dorën e vet pasi përveç dokumentit ku u kërkohet të dalin nga shtëpia nuk kanë ku të mbështeten.
