Mesazh i fortë: Ambasadorët e Francës e Gjermanisë largohen nga salla kur Rama flet për amnistinë
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u është hakërruar ndërkombëtarëve lidhur me mos dakordësinë e tyre për amnistinë fiskale.
Ndërkohë, ambasadorja e Francës Elizabet Barsacq dhe ai i Gjermanisë, Peter Zingraf e kanë treguar këtë mosdakordësi edhe përmes një gjesti simbolik.
Ata ishin të pranishëm në takim-dëgjesa e organizuar nga qeveria Rama për amnistinë fiskale dhe kur Rama ka nisur të flasë ata janë larguar nga salla.
Ndërkohë, regjia qendrore e kryeministrisë është siguruar që ta heqë pamjet nga dy ambasadorët duke e drejtuar nga të pranishmit në sallë.
Reagojnë për Ora News, ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës
“Ne e lamë sot në mëngjes mbledhjen për amnisti fiskale sepse të dy kishim takime. Ne ndajmë plotësisht pikëpamjet e shprehura nga Delegacioni i BE-së" thuhet në reagimin e Elisabeth Barsacq dhe Peter Zingraf për gazetarin e Ora News, Isa Myzyraj.
Më herët Dhoma Amerikane e Tregtisë bëri me dije se është kundër kësaj amnistie, po ashtu edhe Komision Evropian shprehu shqetësimin për një nismë të tillë.
Por duket se Rama nuk do të dorëzohet përballë ndërkombëtarëve, madje ditën e sotme ai tha se kritika e tyre për amnistinë është mungesë respekti për sovranitetin e Shqipërisë.


