Kanabis “shtëpie” dhe “mali”, parcelat në pyll dhe shtëpitë e barit mënyrat kryesore të kultivimit

Parcelat e vogla mes pyllit dhe shtëpitë e barit janë dy nga mënyrat kryesore të kultivimit të bimëve narkotike këtë vit në Shqipëri. Një 32-vjeçar në Memaliaj u kap ndërsa po përgatiste një parcelë në mes të pyllit, ndërsa at e bir në Tiranë kishin ngritur bashkë biznes kanabisi.

Në pyllin e fshatit Zhapokikë në Memaliaj një pjesë toke ishte shpyllëzuar.

Policia thotë se kishte marrë informacion për këtë veprimtari ndaj shkoi për kontroll në zonë.

Aty gjetën 32-vjeçarin Ermal Saka i cili po e përgatiste parcelën për të kultivuar bimë narkotike.

Fidanë e dyshuar cannabis sativa, që i kishte gati në kubikë.

Ishte çështje ditësh që ti mbillte në parcelën e hapur rishtas.

I riu nga Tepelena që veprimtarinë kriminale e kishte nisur në Memaliaj u vu në pranga në kushtet e flagrancës.

Gjatë kontrollit në banesë blutë i gjetën edhe një armë elektroshok, që e mbante pa leje.

Parcela e drogës në mes të pyllit i kushtoi hetim dhe kryeplakut 66-vjeçar të fshatit Zhapokikë.

Policia e akuzon për shpërdorim detyre, pasi nuk ka kontrolluar territorin dhe nuk ka denoncuar tentativën për kultivim droge.

Ndërkohë babë e bir u arrestuan në tiranë, pasi kultivimin dhe shitjen e bimëve narkotike e kishin kthyer në biznes familjar.

Bashkim dhe Randi Qefalia, përkatësisht 52 dhe 23 vjeç rrisnin në vazo kanabis në banesën e tyre, të cilën më pas e shisnin në zona të ndryshme të kryeqytetit.

Në shtëpinë e  familjes Qefalia në Babrru u gjetën disa rrënje kanabis në fazë rritje dhe 2 kilogram të tjera e tharë gati për shitje.

Parcelat e vogla në zona të pyllëzuara malore dhe shtëpitë e barit janë konfirmuar si mënyra kryesore e kultivimit të bimëve narkotike këtë vit në vendin tonë.