“Amnistia fiskale, legalizim i parave të krimit” Berisha: Rama dhe grupi i tij do të kenë taksë “veçmas”
Ish-kryeministri Sali Berisha e kundërshton me forcë nismën e qeverisë për amnistinë fiskale, të cilën e cilëson si një akt kriminal të Edi Ramës për të legalizuar paratë që vijnë grupet kriminale. Dhe si e tillë, Berisha tha se kjo ministri cenon sigurinë kombëtare të vendit.
Në konferencën e përjavshme me gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u ndal gjerësisht tek projektligji për amnistinë fiskale, ku shpjegoi çfarë fshihet pas kësaj nisme që kërkon qeveria dhe që është kundërshtuar edhe nga ndërkombëtarët.
Berisha: Në qoftë se siç ka qëllim kryesor, të legalizohen paratë e krimit, pasi ju e keni të qartë se nuk ka shqiptar të ndershëm i cili me punën shtesë të ndershme që mund të bëjë, qoftë edhe të paregjistruar, të mund të sigurojë 2 milionë euro kursime, është gjithçka pra, ka vetëm një synim, që “çunat” të legalizojnë paratë e krimit dhe ne jemi kategorikisht kundër saj. Gjithashtu, me këtë proces, nuk ka diskutim se Edi Rama dhe grupi i tij do të kenë një taksë veças nga ajo që kanë shpallur për shumicën e këtyre legalizimeve, shumave të legalizuara.
Mbi të gjitha, kjo është një shpërblim që njerëzit që merren me trafiqe kriminale, nuk e meritojnë kurrë. Ky është një shkelmin i barazisë dhe i parimeve të të drejtave të biznesit. Këtyre ua rrit taksat, ua çon 23%, atyre u thotë që për paratë që keni, e keni 7 apo 10%! Ndër të gjitha reagimet, reagimi i Komisionit Europian është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse jemi në këto ditë që ky shpresojmë të merret vendimi për hapjen e negociatave. Ligji i kundërshtuar nga KE përbën një bazë edhe që hapja e negociatave me Shqipërinë të shtyhet dhe vendimi të mos merret siç ritet javën e ardhshme.
Berisha paralajmëroi se kjo amnisti është një goditje shumë e rëndë për bizneset dhe reputacionin e vendit.
Berisha: Problemi i parë që do të paraqes sot është Amnistia fiskale, një akt me pasoja katastrofale për rendin dhe sigurinë dhe për biznesin në Shqipëri. Duke përshëndetur të gjitha reagimet brenda vendit dhe të huaja, të bëra kundër këtij akti, paralajmëroj gjithashtu qeverinë se amnistia e saj fiskale është një goditje shumë e rëndë për bizneset e ndershme, për reputacionin e vendit, është një goditje shumë e rëndë për rendin dhe sigurinë në Shqipëri.
I pyetur për deklaratën e Ramës se nga amnistia fiskale do të përjashtohen personat me të shkuar kriminale dhe pjesë e OFL-së, ai u përgjigj se "OFL-ja është lista që e çon vetë kryeministri Rama".
Berisha: Ai i ka vënë në krye të PS-së. Ai ka trafikantë, vrasës, njerëz që kanë qëlluar dhe plagosur të tjerët. A mund t’i besosh atij? Ai i quan burra të mirë ata. po ç’është OFL-ja. OFL-ja është lista që i jep Rama policisë për t’i prerë gjobën. Preku gjë OFL-ja pronat e klanit Xhafa? Unë mund të jap dhe shembuj të tjetër. Ajo nuk ka asnjë tjetër vetëm legalizimin e parave të tyre. Janë me qindra persona që janë arrë me trafiqe kriminale dhe nuk janë të zbuluar. Nuk mund ta bëjë Shqipëria këtë. A ka mundësi që një person me punë të ndershëm të bëjë 2 milionë euro? Kurrë! Ky e ka vetëm me krimin. Është pa asnjë diskutim. Shkaku që nuk na i kanë hapur negociatat ka qenë krimi.
Po ashtu Berisha akuzoi se Rama - Veliaj kanë me Dervishajn, aferat më të paimagjinueshme, që nga stadiumi i Elbasanit.
Berisha: Nuk janë vetëm rastet e inceneratorëve, si rasti i Gjyste Sermit, i Gurakuqit, i Hajdarit, rasti i Dervishit që është famoz. Edi Rama ka me ish-drejtorin e vet, bashkë me Veliajn, aferat korruptive më të paimagjinueshme. Merrni listën e punëve që ka kryer ky, nga stadiumi i Elbasanit, stadiumi tjetër, me radhë tek punët në rrugë dhe kudo. Pra, klientela dhe qeveria janë një, në vjedhjen e qytetarëve shqiptarë. Shpëtimi i Shqipërisë prej tyre është absolutisht emergjencë kombëtare.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, bëri të ditur se “Fronti Opozitar i Shpëtimit të Shqipërisë do të punojë fort edhe gjatë verës për t’u përgatitur për betejën më të fuqishme ndaj këtij regjimi dhe shpëtimin e Shqipërisë prej tij.”

