“Rama e Veliaj të dalin para drejtësisë”, PD dhe LSI: Fshihen pas kompanisë që monitoron punimet e inceneratorëve

Në aferën e koncesioneve të incineratorëve nuk janë përfshirë vetëm kompanitë që fituan të drejtën e ndërtimit. Sipas PD është “Ave Consulting” që ka pasur detyrimin për të monitoruar punimet. Për këtë Belind Këlliçi akuzon se në raportet e këtij subjekti janë çertifikuar abuzimet.

Belind Këlliçi: Është pikërisht kjo kompani, “Ave Consulting”, e cila ka miratuar çdo faturë e situacion për këto kompani dhe ndërkohë ka njoftuar zyrtarisht përfundimin e punimeve në inceneratorin e Fierit që në 31 mars të vitit 2021, e ndërkohë jemi në Korrik të vitit 2022 dhe inceneratori i Fierit, ende nuk është në punë dhe funksional.

Po ashtu Këlliçi shton se pas pronarit të kësaj kompanie fshihet kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.

Belind Këlliçi: Bashkëpronar i saj është Albert Dervishaj, sipas informacioneve të shumta të Partisë Demokratike, me siguri një presta nome i lidhur me famëkeqin Erion Veliaj. Kompania nuk ka në organikë asnjë inxhinier gjeodet. Një profesionist i tillë nevojitet për studimin topografik të veprës. Për të mos i lënë shkas zhvendosjeve të rrugës gjatë zbatimit, sipas interesave të momentit.

Në të njëjtin argument edhe LSI ka kërkuar hetimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Endrit Braimllari: Edi Rama dhe Erion Veliaj nuk janë mjaftuar vetëm me skemën fiktive të ndërtimit të incineratorit por kanë vënë në zbatim duke përdorur institucionet shtetërore dhe skemën e evazionit fiskal që kap vlerën e 189 milion dollar duke përdorur kompani fiktive duke vjedhur identitetin e qytetarëve.

Deri më tani nga hetimi i SPAK për incineratorët janë arrestuar ish ministri Lefter Koka, deputeti i PS Alqi Bllako si dhe janë shpallur në kërkim dy pronarët e kompanive Stela Gugallja dhe Klodian Zoto.