U arrestua për trafik klandestinësh, 27-vjeçari tenton të vetëvaret në qelitë e policisë së Korçës
Një i ri nga Tirana ka tentuar ti japë fund jetës në ambientet e paraburgimit të drejtorisë së Policisë së Korçës. Ai është identifikuar si Antuanel Mila, i arrestuar një ditë më parë si i dyshuar për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Sipas policisë i riu ka tentuar të varë veten me batanije, por është shpëtuar nga një punonjës i policisë.
Sërish ngjarje e rëndë në qelitë e komisariateve të Shqipërisë.
Një 27-vjeçar në Korçë ka tentuar që të varë veten në qelitë e paraburgimit të komisariatit të këtij qyteti
Bëhet fjalë për Antuanel Mila, i cili u arrestua të enjten pasi në mjetin që ai drejtonte u kapën disa klandestinë.
Mila mësohet se ka tentuar vetëvrasjen përmes varjes me batanije, por ka qenë një punonjës shërbimi i cili e ka konstatuar atë dhe ka ndërhyrë menjëherë, duke shmangur tragjedinë.
Veç tronditjes psikologjike 27-vjeçari ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe jashtë rrezikut për jetën.
Të enjten, 27-vjeçarit iu gjetën në makinën e tij 4 persona. Fillimisht ai arriti t’i ikë postbllokut të Policisë, në dalje të Pogradecit, duke u drejtuar për nga Tirana.
Por pas ndjekjes nga Policia, ai u ndalua në fshatin Piskupat.
Vetëm këtë vit në vendin tonë dy persona kanë humbur jetën në drejtoritë e policisë.
Në maj Ilvi Meta 31 vjeç kreu vetëvrasje në komisariatin e Kavajës.
Ndërkohë në muajin mars në Komisariatin e Kamzës 26-vjeçari Arben Mici humbi jetën pasi flakët u përhapën në qelitë e paraburgimit.
