“Hero” i jetës! 18-vjeçari shpëton vëllain dhe shokun, por u mbyt vetë

Ky është Anri Kashiku, 18 vjeçar me guximin e një heroi. Humbi tragjikisht jetën duke shpëtuar nga mbytja në det vëllain e mitur dhe shokun e tij.

Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 13:30 minuta në Durrës, në zonën e quajtur "Sektori Rinia". Dy të miturit ishin futur në det për tu larë.

Sipas dëshmirtarëve, fëmijët janë larguar shumë nga bregu dhe kanë rrezikuar mbytjen nga dallgët.

18-vjeçari i ka ndihmuar të dalin në breg por u zhduk vetë në det.

Fillimisht ishin pushuesit që nisën kërkimet për të riun por pa rezultat.

Ngjarja angazhoi shërbimet e policisë kufitare, punonjësit e të cilës pas gati tre orësh kanë mundur të gjejnë trupin e pajetë të 18-vjeçarit.

Burime nga spitali i Durrësit bëjnë me dije se dy të miturit e shpëtuar janë nën kujdesin e mjekëve, për fat të mirë jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja e kësaj të enjteje (14 korrik) në Durrës, 14 korrik, risjell në vëmendje mungesën e rojeve të plazhit.

Në zonën ku humbi jetën 18-vjeçari, kullë monitorimi ka, por mungon vrojtuesi i licensuar ndërhyrja e të cilit në kohë mund të shmangte tragjedinë.

18-vjeçari, Anri Kashiku, është viktima e katërt në plazhet e vendit vetëm në dy javët e para të korrikut, ndërsa rastet kur pushuesit kanë rrezikuar jetën në mes të detit kanë qenë të shumta.