Çela: Rritet me 4,35% kriminaliteti në 2021, Vlora qarku më i kriminalizuar, Dibra e fundit

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka publikuar raportit vjetor të prokurorisë së përgjithshme “Mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2021” në Kuvend.

Ai tha  se në total, gjatë vitit 2021 prokuroria ka trajtuar në total 61015 materiale , që përbën një rritje prej 4,35 % në krahasim me vitin 2020.

Po ashtu ai bëri me dije se përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë edhe në vitin 2021 e ka qarku Dibër, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Vlorë.

Kryeprokurori theksoi se sa i përket tendencës, vërehet se për vitin 2021 rritjen më të lartë e ka qarku Kukës me 36 %, ndërsa qarku Dibër ka koeficient të kriminalitetit.

Çela: Gjatë vitit 2021 prokuroria ka trajtuar në total 61015 materiale, që përbën një rritje prej 4,35 % në krahasim me vitin 2020. Janë ndjekur nga prokurorët 47512 procedime penale, me një rritje prej 5,97 % në krahasim me një vit më parë, nga të cilat 28368 janë procedime penale të regjistruara në 2021, edhe këto me  një rritje prej 1,71 %. Ndërkohë rezulton një rritje  e procedimeve penale të mbartuara në masën 11,65 %. Prokuroritë kanë vendosur mosfillimin e procedimit për 13503 referime dhe kallëzime penale.

Përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë edhe në vitin 2021 e ka qarku Dibër, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Vlorë. Sa i përket tendencës, vërehet se për vitin 2021 rritjen më të lartë e ka qarku Kukës me 36 %, ndërsa qarku Dibër ka koeficient të kriminalitetit nën mesataren kombëtare, por që rezulton me rritje 4,62 % krahasuar me një vit më parë.

Evidentohet se veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara me 28,88 % të numrit të përgjithshëm, me një rritje 9,62 % krahasuar me vitin 2020. Ato pasohen nga  vjedhjet e pasurisë, që përbëjnë 27,86 % të numrit të përgjithshëm të procedimeve të regjistruara, por me ulje 12,67 % krahasuar me një vit më parë.