Krimet zgjedhore, Çela: Janë regjistruar 47 procedime penale, janë dënuar 46 persona
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka publikuar raportit vjetor të prokurorisë së përgjithshme “Mbi gjendjen e kriminalitetit për vitin 2021” në Kuvend.
Ai tha se lidhur me krimet zgjedhore janë regjistruar dhe ndjekur 47 procedime penale, dhe 7 çështje penale me 52 të pandehur janë dërguar për gjykim, ku janë dënuar 46 persona.
Çela: Referuar të dhënave statistikore, evidentohet se në prokuroritë me juridiksion të përgjithshëm janë regjistruar dhe ndjekur 47 procedime penale për vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve, 7 çështje penale me 52 të pandehur janë dërguar për gjykim, dhe janë dënuar 46 persona, të cilët sipas veprave penale janë:
Për “Pengim të subjekteve zgjedhore” të parashikuar nga neni 325 i K.Penal është dërguar për gjykim 1 çështje me 1 të pandehur; për “Falsifikim të materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhësve” të parashikuar nga neni 326 i K. Penal janë dërguar për gjykim 2 çështje me 6 të pandehur dhe janë dënuar 19 persona; për “Shkelje të fshehtësisë së votimit” të parashikuar nga neni 327 i K. Penal janë dërguar për gjykim 2 çështje me 2 të pandehur dhe janë dënuar 2 persona; dhe -për veprën penale “Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar” parashikuar nga neni 327/a i K. Penal janë dërguar për gjykim 2 çështje me 43 të pandehur dhe janë dënuar 19 persona.
Në raportin vjetor që ju është dërguar, veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, dhe “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, të parashikuara nga nenet 328 e 328/b të K. Penal, për të cilat janë regjistruar 13 procedime me 10 të pandehur, janë trajtuar në grupveprat penale në fushën e korrupsionit. Këto dy vepra penale me ndryshimet në nenin 39 të ligjit nr.41/2021 që ka ndryshuar nenin 75/a të K. Pr. Penale, hyrë në fuqi me datë 1 qershor 2021, i kanë kaluar për kompetencë lëndore Prokurorisë së Posaçme.

