Pogradec/ Plagosi këmbësori me kamion dhe u largua, në kërkim autori

Një përson është shpallur në kërkim pasi ditën e djeshme më datë 13 korrik, në rrugën Pogradec-Qafë Plloçë, në afërsi të fshatit Gështenjas, Pogradec, teksa drejtonte mjetin tip kamion “Volvo”, ka aksidentuar këmbësorin S. B., 69 vjeç, banues në Pogradec dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit, njofton policia.

69 vjeçari pas mjekimit të marrë në spitalin e Pogradecit, u dërgua në Tiranë për mjekim më të specializuar.

Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin me inicialet A. H., banues në fshatin Buçimas, i cili duke qenë roje në një kantier ndërtimi në këtë aks rrugor, ka patur dijeni për aksidentin dhe nuk e ka kallëzuar në organet e rendit.

Nga ana e Policisë po punohet për identifikimin e mjetit, drejtuesit, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.