U kap në Athinë, kush është Bledar Jambelli? I akuzuar për ekzekutimin mafioz të Artan Cukut
Shqiptari, Bledar Jambelli, i shumëkërkuari për vrasjen e ish-komisarit të policisë Artan Cuku është arrestuar nga policia greke pak vite pas gjykata e Athinë refuzoi ekstradimin e tij në shqipëri. I riu akuzohet për një plagosje të pesëfishtë në janar të këtij viti, ndërkohë që policia i ka gjetur në banesë municione dhe sende të tjera të paligjshme.
Tri vite pasi gjykata e Athinës, refuzoi ekstradimin e Bledar Jambellit në Shqipëri, vlonjati është arrestuar sërish, kësaj here për llogari të palës shqiptare, por për interes të drejtësisë helene.
Njeriu më i kërkuar nga Prokuroria shqiptare, qëndronte i lirë në territon grek, ndërsa në SPAK ka ende të hapur një dosje penale për ekzekutimin mafioz ndaj ish-drejtorit të policisë Vlorë, Artan Cuku.
Jambelli është ndaluar mbrëmjen e djeshme për një atentat me armë, që ka sjellë plagosjen e 5 personave në Vula të Greqisë.
Krimi është regjistruar në datën 22 janar 2022, por policia greke arriti ta dokumentojë rastin, vetëm pas 6 muajsh hetime.
Në banesën e shqiptarit u gjetën dhe sekuestruan dhjetëra plumba, dy pistoleta, jelekë antiplumb dhe sende të tjera të paligjshme, përfshirë këtu dhe 10 mijë euro.
Mes personave të tjerë të arrestuar në operacionin e policisë helene është dhe shqiptari Kristaq Leci, i cili sipas autoriteve ka qenë bashkëautor në tentativën e vrasjes së 5 personave më 22 Maj 2022.
Pjesë e grupit të Jambellit dhe Lecit, ka qënë dhe një shqiptar tjetër, i cili është arrestuar pak kohë më parë nga policia greke, por për një episod tjetër kriminal.
Me arrestimin në Greqi të Jambellit, pala shqiptare duhet të rikërkojë sërisht ekstradimin e tij në Shqipëri, me qëllim gjykimin e Jambellit për vrasjen e Artan Cukut.
Vrasja e ish-zyrtarit të policisë ndodhi në 2017 në rrugën e “Kosovarëve”, ndërsa Jambelli u arrestua në Greqi në vitin 2018, si organizator dhe financues i krimit.
Personi që bëri vrasjen Mikel Shallari, i cili u arrestua vetëm pak ditë pas krimit të rëndë, vendosi të bashkëpunojë me Prokurorinë, duke treguar marrëveshjen që kishte mbyllur me Jambellin, për vrasjen e ish-drejtuesit të lartë të policisë, Artan Cuku.
Jambelli u shpall në kërkim dhe pas një viti u arrestua në Athinë, por gjykata greke refuzoi ekstradimin, duke sjellë dështimin e gjithë procedurës.
Jambelli vijoi të qëndrojë i lirë në Greqi, duke u përfshirë në ngjarje të rënda kriminale, si tentative vrasje, grabitje dhe tregtinë e drogës.
Ndërsa Mikel Shallari, personi që qëlloi me armë zjarri ndaj Artan Cukut, u deklarua fajtor dhe u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me vetëm 8 vite burgim, për shkak se ai kishte përfituar statusin e bashkëpunëtorit të Prokurorisë.
