Mungesa e nxënësve shkrin shkollat, Kushi: Fëmijët që mbushin 6 vjeç deri në 31 dhjetor të hyjnë në klasë të parë
Mungesa e nxënësve po mbyll shkollat në zonat e thella të vendit. Ky realitet I ri pasqyrohet tashmë edhe në ndryshimet në ligjin e ri për arsimin parauniversitar të cilin Ministrja Evis Kushi i diskutoi me ekspertë të arsimit. Ajo njoftoi se në zonat ku ka pak nxënës shkollat 9-vjeçare do të bashkohen me gjimnazet ndërsa sqaroi se për fëmijët do të hiqet detyrimi për të hryë në shkollë në moshën 5-vjeçare.
Mungesa e nxënësve në zonat rurale apo qytetet e vogla po detyron Ministrinë e Arsimit të bashkojë shkollat 9-vjeçare me gjimnazet.
Këto institucione që do të quhen Shkolla të Mesme të Bashkuara aktualisht funksionojnë në këtë formë në 197 të tilla në të cilat ka edhe klasa kolektive.
"Nëqoftëse ne, në një zonë të largët rurale, kemi një shkollë 9-vjecare, por kemi dhe një shkollë të mesme, të dyja vec e vec nuk i plotësojnë kriteret, numrat për të qenë të hapura. Nëse ne i bashkojmë mund tu ofrojmë nxënësve dhe familjeve shumë lehtëse," thotë ministrja.
Teksa prezantoi ndryshimet në ligjin për arsimin parauniversitar Ministrja Evis Kushi sqaroi se fëmijët nuk do të detyrohen të hyjnë në shkollë 5-vjeç.
"Na e kanë kërkuar pafund, edhe këtë vit që flasim, ka aq shumë prindër që duasn t'i fusin fëmijët e tyre në klasë të parë, por është pengesë ligjore," tha Kushi.
Kushi propozoi që pjesë e institucioneve parauniversitare të jenë edhe ato që quhen afterschool me synim për të ushtruar më tepër kontroll ndaj tyre.
"A ka rreziqe që mund të pengojnë zhvillimin e nxënësve. Se nëqoftëse aty dikush e ndihmon nxënësin për të bërë detyrat e shtëpisë, a është ai personi i duhur, a ka formimin e duhur, a është mësues?" tha ajo.
Disa institucione arsimore me ligjin e ri do të marrin statusin Shkolla Kombëtare.
"Për ti dhënë më shumë autonomi edhe sa i takon përzgjedhjes së nxënësve dhe programive, por edhe për elemente financiare," deklaroi ministrja.
Ndryshimet e propozuara në ligjin për arsimin parauniversitar do të diskutohen me ekspertë, prindër, nxënës dhe shoqërinë civile.
