Gazetarja: Nuk bëj dot pushime dyjavore si një vit më parë, Tirana është e mundësive por dhe torturave

Gazetarja, Mirilda Tili, e ftuar në "Ora e Betit" thotë se shtrenjtimi i jetesës i ka bërë pothuajse të pamundura pushimet

Ajo sjell eksperiencën personale, duke u shprehur se gjërat kanë marrë kthesë të fortë nga një vit më parë.

Tili: Jam e bindur se nëse na sheh dikush nga Puka apo fshatrat e Pukës është duke thënë: Po këta po flasin gjuhë të huaj? Ne po flasim për turizëm, bregdet, resorte. Nga ana tjetër ata diskutojnë bukën e gojës. Disniveli është bërë shumë i madh mes të varfërve dhe të pasurve dhe shtresa e mes nuk është. Ju përmendët të moshuarit por ne a ja dalim dot të bëjmë dy javë pushime siç i kemi bërë deri para një viti? Personalisht nuk i bëj dot. Ju thatë Tirana e shumë mundësive por Tirana është edhe e torturave pasi punohet gjatë gjithë vitit fort për të bërë një palë pushime që nuk e  di a i bën dot.