Sela: Maqedonia e Veriut të pranojë propozimin francez, shqiptarët s’mund te jenë peng i konflikteve që përsëriten çdo 5 vite
Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, tha se kjo e fundit duhet ta pranoj propozimin francez pas heqjes së vetos së Bullgarisë në mënyrë që të hapen negociatat me BE.
Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Arnold Kariqi, ai tha se shqiptarët nuk duhet të ngelin peng i konflikteve që riciklohen dhe ripërsëriten çdo 4-5 vite.
Ziadin Sela: Kjo është oferta të cilën Maqedonia e Veriut e ka në tavolinë dhe duhet marrë shumë seriozisht. Tanimë nuk është zgjidhja a do të pranojmë apo jo paketën ose propozimin francez, por zgjedhja që duhet të bëjë Maqedonia e Veriut është a do të vazhdojë apo jo rrugëtimin evropian. Nëse pyetemi ne, ne e kemi shprehur haptaz qëndrimin tonë. Ne jemi për vazhdimin e këtij rrugëtimi, i cili shkon nëpërmjet pranimit të propozimit francez. Nuk ma merr mendja se Maqedonia do të ketë ndonjë propozim më të mirë në lidhje me zgjidhjen e këtij kontesti dhe prandaj ne duhet ta vazhdojmë patjetër këtë rrugëtim. Shqiptarët nuk mund të ngelin peng i konflikteve që riciklohen dhe ripërsëriten çdo 4 apo 5 vite.
Tani që është përmbyllur problemi me Greqinë nëpërmjet të ashtuquajtur marrëveshja e Prespës, unë shpresoj që kjo duhet të jenë konsensusi i fundit të cilin duhet ta sjellë politikë bërja në Maqedoninë e Veriut dhe të shkojmë drejt BE si rajon.
Sela teksa ka përshëndetur dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë nga Kuvendi i Shqipërisë, Sela tha ndër të tjera se ne duhet të jemi të kujdesshëm se me kë hyjmë në iniciativa rajonale të përbashkët, pasi sipas tij aktorët e masakrave të atëhershme sot janë në krye të Serbisë.
Ziadin Sela: Gjenocidi pa marrë parasysh se në çfarë vendi ka ndodhur është për t’u dënuar. Janë ato momente kritike ku na rikujton mizori ku shumë shtete, sidomos Serbia brenda përbrenda Ballkanit. Ne jemi dëshmitar dhe në kohët e sotme. Shohim skena të tilla edhe në konfliktin ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, respektivisht nga presioni rus në Ukrainë. Këto janë momente të cilat ne duhet të rikujtojmë që të mos ndodhin më. Ne duhet të jemi të kujdesshëm se me kë hyjmë në iniciativa rajonale të përbashkëta për shkak se aktorët e atyre skenave të atëhershme sot i ke në krye të Serbisë së sotshme. Nuk mund të pretendohet që Shqipëria të jetë mordenizuar ose të ketë ndryshuar.
