Shabani: Po ndërtojmë plazhe që mund ti përballojë vetëm një vrasës, trafikant droge apo i korruptuar

Nisma Thurje ka ndërmarrë një peticion ku kërkon 100% plazhe publike në Shqipëri.

Endri Shabani në një lidhje me skype për "Ora e Betit" në Rtv Ora thotë se duke u fokusuar te turizmi elitar po ndërtojmë plazhe që mund të përballohen vetëm nga njerëz të krimit dhe korrupsionit.

Endri Shabani: Ka dy mite. Miti i parë që po u kthyem në plazhe publike obobo do kthehemi në komunizëm. Së dyti, turizëm elitar është se njerëzit vinë për shezlongjet. Jo nuk vinë për ta por plazhet të cilat mundësisht të jenë të virgjëra, të lira dhe të hapura. Fakti që ka hotele me 5 Yje nuk do të thotë se ata duhet të ozurpojnë plazhet se këta turistë elitarë shkojnë dhe në Ibiza ku plazhet janë falas, edhe në Kapri ku plazhet i kanë falas. Duke rritur koston e të shkuarit në plazh, atë që ne mendojmë se është elitar padashje promovojmë një plazh që mund ta përballojë një vrasës me pagesë, një trafikant prostitutash, një trafikant droge, një i korruptuar që nuk i ka problem fare këto shifra dhe nuk mund ta përballojë një mjek, një mësues, një inxhinier, një gazetar të cilët i japin diçka shoqërisë. Atë që ne mendojmë elitar mund të jetë kërma, llumi i shoqërisë dhe ndërtojmë plazhe për ta se ky qenka elitar dhe këta që marrin bukë me vete që janë mësues, ata që ndërtojnë shoqërinë, këta janë dorë e dytë, ti largojmë nga plazhi, ti lëmë te ujërat e zeza. Ky është mentalitet jashtëzakonisht i gabuar, nuk është progres. Është provincializëm.