PD nuk ka pushime, Berisha: Angazhohuni në të gjitha rrethet. Edi Rama do përballet me popullin
Për demokratët duket se nuk do të ketë pushime këtë verë. Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u dha porosi të martën drejtuesve të PD-së në rrethe të nisin një fushatë intensive komunikimi me qytetarët.
Protesta e 7 korrikut ishte fillimi sipas tij dhe tashmë strategjia e opozitës është vazhdimi i protestës në çdo lloj forme, sidomos në rrjetet sociale.
Berisha: Ju mund të bëni mbledhje seksionesh dhe unë jua këshilloj por do të bëni mbledhje komunitetesh. Verë është kjo, nuk them që mos të merren pushime se keni fëmijë dhe familje por do të programoni shumë mirë vazhdimin e punës në mënyrë të pandërprerë.
Berisha akuzoi Ramën për vjedhje dhe tha se SPAK-u është bërë kapaku i vjedhjeve të pushtetarëve.
Berisha: Nuk mund ta mbrojë më SPAK këtë qeveri, do përballet me popullin. SPAK është bërë kapaku i gjithë vjedhjeve të tyre. Ka 5 muaj që ka dalë çështja e incineratorëve, çdo ditë Erion Veliaj me bandën e tij merr 80 mijë euro në ditë nga paratë e taksapaguesve, ata që janë në kërkim gjoja.
Berisha bëri dhe një paralelizëm mes Shqipërisë dhe Sri Lankës.
Berisha: Në Sri Lanka paratë e vjedhura ishin futur nëpër valixhe në pallatin presidencial, në Shqipëri paratë e vjedhura vendosen në kontot bankare të të vdekurve, të pensionistëve. Plus qindra milionë që përfundojnë në bankat offshore.
Ai shprehu bindjen se vetëm me anë të votës së lirë do të arrihet fitorja e demokratëve.
