"Duhet vetëm guidë e mirë", Zak Topuzi tregon ofertat e "çmendura" për pushime në Turqi e Mal të Zi

Rritja e çmimeve ka vënë në pikëpyetje edhe pushimet verore. Por Zak Topuzi, kreu i Shoqatës Shqiptare të Turizmit, thotë se për të bërë pushime duhet vetëm një guidë e mirë.

Në "Ora e Betit" në Rtv Ora ai solli në vëmendje disa oferta shumë të leverdishme në Turqi dhe Mal të Zi.

Topuzi: Është problem botëror që shtresa e mesme po zhduket dhe po rritet disniveli mes shtresës së varfër dhe njerëzve të pasur. Ne jemi fundi i kavallit. Vërtet çmimet janë rritur por shqiptarët jo se nuk e gjejnë mundësinë për të pushuar. Tani pushimi nuk është më 15 ditë si ka qenë por çdo fundjavë me 2-3 ditë. Deri në maj 2.100.000 kanë dalë nga Shqipëria, gati 70% e popullsisë brenda 5 muajve ka dalë njëherë jashtë dhe kanë hyrë në Shqipëri 1.670.000 të huaj.Kjo falë ndihmës së refugjatëve që u paguajnë biletat e avionit familjes. Ka oferta Shqipëria, është si bari që i ka të gjitha llojet e pijeve. Mjafton të kesh një 'banakier' të mirë, guidë të mirë dhe je në gjendje të shijosh pushime. Sot pashë një ofertë 99 euro tre ditë në Turqi. Në korrik gjeta dy oferta për në Mal të Zi 5 netë dhe 6 ditë 180 euro full board. Mendoj se një person mund të sakrifikojë një pension në muaj për të bërë pushimet. Nuk është tragjike. Një pjesë e mirë e popullsisë shqiptare nuk ka bërë pushime historikisht, për arsye financiare dhe se nuk e ka traditë. Me rëndësi është që një pjesë e mirë  e rinisë po e kupton që turizmi nuk është më vetëm, industri por mënyrë jetese, kanë kuptuar që duhet të lëvizësh, të vizitosh më shumë vende.