Nuk fitohet me Facebook! Berisha do të "thyejë" mitin, porosi krerëve të degëve: Të dominojmë ndaj kundërshtarit në rrjete sociale

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka lënë porosi të qartë drejtuesve në degë që ti japin përparësi komunikimit virtual përmes rrjeteve sociale.

Në mbledhjen në selinë blu, ai e kishte të qartë kur u tha se duhet të përmbysin situatën në rrjetet sociale dhe të dominojnë përballë kundërshtarit.

Si një njohës dhe përdorues i mirë i tyre, bashkë me sugjerimin kishte dhe udhëzimet.

Berisha: Sot bota është e dyfishtë, virtualja dhe realja. Për herë të parë pas 4 vitesh ne ishim shumicë, dominuam në mediat sociale. Kjo është shumë e rëndësishme por përsëri jo për meritë të aktivitetit tonë dixhital por për meritë aktivitetit tonë si protestë, mediatike etj. Duhet të përmbysim situatën në rrjetet sociale, ne duhet të dominojmë.

Treguesit janë shumë të mirë. Si numër kundërshtari ynë ka shumë më tepër se ne. Ndërkohë që ne kemi nevojë dhe mund të bëjmë trefishin e tij. Të bëjmë gjithçka për shfrytëzimin maksimal të rrjeteve sociale. Hiqeni nga mendja se nuk fitohet në facebook. Fitorja është komplekse. Edhe unë ua them që vetëm me Facebook nuk fitohet. Por dhe pa komunikim shumë shumë vështirë fitohet.

Duhet ta keni shumë të qartë këtë. Historia ka faktuar se aty ku mediat e mëdha nuk janë në favor të opozitës, përcaktuese ka qenë përdorimi i rrjeteve siociale nga opozita dhe kanë fituar zgjedhjet duke dominuar. A i kemi ne mediat e mëdha? Jo, nuk janë në favor. Shkoj unë ulem atuy dhe atyre u bien telefonat nga të gjitha anët. Nuk kanë skrupull fare, zbatojnë porosi. Ne nuk i drejtojmë dot por zhvillojmë një dimension ku nuk na ndërhyjnë dot dhe sot është plotësisht e mundshme. Ju të gjithë jeni politikanë, çdo ngacmim, çdo mendim kundër qeverisë  gjatë ditës hidheni në facebook 1 herë në ditë, 2, 3 sa të mundeni.

Por ti hedhim, mos ti mbajmë në mendjen tonë. Merrni nga të tjerë, nga portale, analiza, të dhëna dhe ti shumëfishojmë. Por këtu kemi një rezervë shumë të madhe ne në shumëfishimin e aktivitetit tonë në rrjetet sociale. Mos i dëgjoni ata që thonë nuk fitohen zgjedhjet me facebook se pastaj duhet të themi që edhe televizionin po e lëmë, nuk duhet ta përdorim. Nuk mjafton por dhe pa të nuk fitohet. Sot rrjetet sociale janë bërë mjeti ndër më kryesorët për të përcjellë mesazhin.

Berisha ndër të tjera vlerësoi edhe rolin e protestave në këtë drejtim.

Berisha: Protesta që ishte aty ka forcë nukleare. Të rikthehemi në organizim, dialog, diskutime, debate, kudo. Në çdo fshat, lagje, bllok. E sigurt është që shqiptarërt mezi presin veprimin, lëvizjen e frontit për shpëtimin e Shqipërisë.