I premtoi ambulancën Vunoit por s'ja bëri kurrë, nëna Athina mbron kushëririn Rama: E kanë fajin këta zagarët
Ora Verore, emisioni veror në Rtv Ora ndaloi të këtë martë në Vuno, një nga fshatrat më të bukur të Shqipërisë.
Gazetari Ronaldo Sharka takoi në rrugët e fshatit një grua fisnike, nënë Athina Simon.
Vunoi është një fshat me të cilin bie në dashuri nëse shkon si vizitor apo turist por duket se për vendasit dhe kryesisht të moshuarit jeta e përditshme nuk është kaq e lehtë.
Dëshmi për këtë ishte nënë Athina, e cila dhe pse në moshë të thyer, për të bërë pazar detyrohet të mbajë trasta në shpinë nga Himara.
"Jam 78 vjeçe. Punoj, ngarkohem. Këtu nuk kemi dyqan, vetëm një klub që i ka të shtrenjta. Duhet të shkojmë në Himarë për pazar por s'ka urban. Mua mu vra djali 20 vjeç me motor, tre vajza kam. Ku ta gjej makinën unë?"
Me qeverinë në Tiranë duket se i ka punët mirë, e posaçërisht me kryeministrin Edi Rama.
Por ka një zhgënjim të madh. Ambulancën që ja premtoi në një takim në Himarë nuk e ka ndërtuar ende.
E nënë Athina thotë se fajin për këtë e ka qeverisja vendore, që merr lekët dhe nuk bën punën.
"Më pëlqen shumë Edi Rama, rroftë se na bëri fshatrat dritë. I bëri me drita dhe ujë, ka punuar. Kur mora vesh se do vinte në Himarë shkova. I kërkova një ambulancë në qendër të Vunoi se këtu e kemi pasur, jo të shkojmë të zhvishemi në klub para burrave. Më tha do ta bëj dhe të madhe te lapidari. Nuk e bënë o të keqen. Turp plaka të bëjë një gjilpërë në klub. Doktor nuk kemi, ambulancë nuk kemi, çfarë qendër e Vunoi jemi. Nuk ka faj Rama, janë këta zagarët këtu që i futën lekët në xhep".
