Burracak! Erion Veliaj dhunon të vdekurit për të frikësuar këdo që e kundërshton
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, me metodat e një burracaku, nga mikrofoni i një salle të mbyllur për mediat i dërgon mesazh çdo gazetari që nuk mendon dhe gjykon si ai duke përdorur ngjarjen tragjike të ndarjes nga jeta të gazetarit dhe publicistit Kastriot Myftaraj, i cili ka qenë një ndër zërat më të fortë kundër betonizimit dhe pastrimit të parave përmes aferave të ndërtimit në Tiranë.
Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës tashmë është kthyer në shfaqje për një person të vetëm, ku vetëm flet kryetari e të tjerët tundin kokën.
Të paktën kjo është ajo çfarë transmeton Erion Veliaj në facebookun e tij, për ti dhënë mundësi mediave ta transmetojnë live.
Dhe po aty në mënyrë skandaloze flet për të ndarët nga jeta, dhe madje duke i dhënë sinjal edhe kritikëve të tjerë që mund të kenë një fat të ngjashëm apo fatal me atë të gazetarit dhe publicistit Kastriot Myftaraj.
Në mënyrë skandaloze, Erion Veliaj, përdor ngjarjen fatkeqe për të anatemuar çdokënd që nuk mendon dhe arsyeton si ai.
Veliaj: Ke gjetur bashkinë e gabuar, se ne te kjo e gjobave bëj çfarë të duash, hidhu dhe nga ballkoni po deshe, siç po ndodh me këtë gazetarinë e lajmeve të rreme dhe shpifjeve.
Ngjarjen tragjike të ndarjes nga jeta të Myftaraj duket se dëshiron ta përdorë si presion, kur asnjë nga institucionet ligjzbatuese nuk ka guxim ta hetojë, teksa ndryshon edhe mendim për premtimin e dhënë se nuk do të mbahej mend për pallate, por për sheshe të gjelbra.
Veliaj: Si njeri që do mbahet mend me një ekip që ndërtoi më shumë parqe sesa pallate.
Tashmë synimin e ka të qartë, sa më shumë kulla në qendër, edhe pse Tirana në raporte renditet në vendin e pastrimit të parave me ndërtimet.
Deklarata e Veliaj, 22 shkurt: Po ju them se nuk do të tërhiqem nga ky vendim. Mund të vazhdojnë të çojnë nëpër portale, të vënë gjoba, të bëjnë lajme kot sikur njerëzit po shqetësohen se betonieret janë natën dhe i duan ditën në mëngjes.
Deklarata e Veliaj, 12 korrik: Do të vazhdojmë me mjetet e rënda në Tiranë kështu që kush habitet dhe fillon këtë histerinë e portaleve jo po erdhën betonieret prapë, jo po u thyen...
Dikur u përbetua se do të ndalonte lëvizjen e betoniereve, por sot thotë se janë domosdoshmëri.
Ndaj medieve që nuk pranojnë të thonë vetëm fjalën e tij i paralajmëron se do ti quajë gjobaxhije.
Deklarata e Veliaj, 12 korrik: Duhet me qenë shumë të hapur, ky është vizioni ynë për qytetin. Brenda fundit të vitit ndërtimet kryesore masive të qendrës të kenë mbaruar që pastaj të bjerë edhe pak ngarkesa me trafikun.
Edhe një herë Veliaj del si pronar i Tiranës, ndaj nuk pranon që dikush të kërkojë mbrojtje në gjykatë, por si hakmarrje zgjedh sulmin politik.
Deklarata e Veliaj, 12 korrik: Projektvendimi i pestë ka të bëjë me miratimin në parim të planit të ndikimit të zhvendosjes si pasojë e zbatimit të projektit shtrati i lumit Lana, plani për rialokimin dhe bëhet fjalë për 24 struktura rezidenciale me certifikatë pronësie. 211 struktura të tjera janë në tokë të bashkisë.
Ai nuk mund të harronte që sallën e Këshillit Bashkiak ta përdorte për politikë, dhe për faktin se në Këshill ka vetëm një anëtar që nuk është i mazhorancës ndaj nuk e kupton qëndrimin e opozitës kur e akuzon për shkelje të ligjit.
