Berisha mbledh drejtuesit demokratë: Betejë për jetë a vdekje, 7 korriku ktheu në shesh opozitën e vërtetë
Kreu i Partisë Demokratike mblodhi këtë pasdite në selinë blu kryetarët dhe sekretarët e degëve.
Në mbledhjen e hapur për median, Berisha theksin e vuri te protesta e 7 korrikut, rëndësia e së cilës sipas tij është se zbriti në shesh opozitën e vërtetë.
Berisha: Aspekti më i rëndësishëm i të gjitha aspekteve të tjera të kësaj propteste ishte se për herë të parë prej vitesh në shesh doli opozita e vërtetë. Nëse më pyesni çfarë ishte më e veçantë, më e rëndësishmja dhe e jashtëzakonshmja, ishte opozita e vërtetë në shesh. Kjo përbën një ogur të madh të bardhë për Shqipërinë në rrezik, për shpëtimin e saj.
Berisha solli në vëmendje përpjekjet e Ramës por jo vetëm për të mbajtur opozitën nën kontrollin e tij.
Berisha: Përpjekje më antidemokratike, më primitive, më të turpshme u bën që të vendosë në kontroll të paligjshëm opozitën shqiptare, ta mbajë në kontroll të paligjshëm, ta mbajnë këtë opozitë një vegël të qeverisë, të një njeriu i cili është armik i egër i lirisë dhe votës së shqiptarëve. Një njeriu i cili pasi rrëmbeu dhe shkelmoi vullnetet e qytetarëve shqiptarë dhe votat e tyre vendosi të fshijë pluralizmin politik nga harta politike e vendit.
Për drejtuesit e PD në degë pati një porosi: Të ndërgjegjësojnë qytetarët mbi rrezikun e vërtetë që paraqet Edi Rama për ta dhe vendin.
Berisha: I them këto që ju duhet të qartësoni çdo demokrat dhe demokrate, çdo qytetar të këtij vendi se çfarë rreziku ekzistencial për liritë e qytetarëve dhe demokracinë e Shqipërisë përbën Edi Rama dhe çfarë prove e madhe na pret ne. A do vazhdojmë ne ti lejojmë këtij zotërie të ecë në këtë mënyrë, të shkelmojë mbi ato arritje me aq sakrifica të shqiptarëve në 30 vjet dhe të na kthejë në kohërat e etërve të tij? A do pranojmë këtë realitet deri në këtë shkallë sa pasi rrëmbeu votën, donte të asgjesonte pluralizimin. Ka një vit që bën lojën e turpshme dhe primitive me pseudo-opozitë.
Është betejë për jetë a vdekje të demokracisë shqiptare e cila de facto sot të vetme gjë që ka atë arritje të 7 korrikut, opozitën e vërtetë në shesh betejë.
Berisha kujtoi se të gjitha këto kanë ndodhur para syve të shqiptarëve dhe botës.
Sipas tij shpëtimi vjen vetëm nga PD, shoqëria civile dhe forcat e tjera politike opozitare.
Berisha: Ne jemi ata që duhet të vendosim për të marrë fatin tonë në dorë. Sot kemi një qeveri që nga mëngjesi deri në darkë nuk ka axhendë tjetër përpos vjedhjes së qytetarëve. Çdo ditë dalin milionat e parave të vjedhura, të fshehura diku te një bari në Athinë, diku tjetër në varrezat e Shkodrës, qytetarë që nuk kanë asnjë lidhje me paratë që qeveritarët kanë fshehur te ata. Prisni është fillimi. Se këta që kanë ndërtuar kilometrin e rrugës Ibë-Farkë me 30 milion euro, do dalë seri tjetër. Vëllimet e punimeve nuk janë kurrë më shumë se 3-4 milion euro, 10-fishin e kanë vjedhur dhe e kanë depozituar në emra të gjallësh e të vdekurish, pensionistësh në azil.
Me shqetësim Berisha ngriti edhe çështjen e grabitjes së pronave publike në vend.
Berisha: Në rrafshin politik kemi ato qëndrime të Edi Ramës, nga ana tjetër kemi një vjedhje të paimagjinueshme të kthyer në sistem të qytetarëve shqiptarë. U janë vërsulur me tërbim të gjitha pronave publike të vendit. I grabisin për vete, fisin e tyre. Po e bien në parlament me urgjencë dekretin që ktheu presidenti për Butrintin sepse janë 500 hektarë te kepi i Stillos që do merren nga klientela. Nuk ka rëndësi për ta fare. Tani po marrin pallatet e brigadave për të ndërtuar kodrën me kulla e pallate. Me ligjin e investitorëve strategjikë po shpallin burrat, gratë e ministrave, vëllezërit, kushërinjtë investitorë strategjikë. Kurrë ndonjëherë kjo batërdi në vjedhje dhe shpërdorimin e pronës nuk është bërë. Kjo do vazhdojë derisa ne ta tolerojmë, do bëhet gjithnjë e më e madhe.