“Deti po u falet oligarkëve”/ Me çadër dhe legen uji, “Nisma Thurje” proteston përpara Ministrisë së Turizmit

Për shkak të numrit shumë të lartë të plazheve private në të gjithë vijën bregdetare anëtarë të Nismës Thurrje me një shezlong në krahë kanë shkuar të protestojnë përpara Ministrisë së Turizmit. Ata shprehen janë duke mbajtur një peticion e se përballë neglizhencës së Ministrisë do të vijojnë protestat.

Me çadër, një shezlong, disa të holla dhe një legen uji, Nisma Thurje protestoi këtë martë përpara Ministrisë së Turizmit për mungesën e plazheve publike.

Pas një vëzhgimi të kryer përgjatë bregdetit shqiptar nga veriu e deri në jug anëtarë të Nismës Thurje denoncojnë masivizimin e plazheve private në pothuajse të gjithë territorin.

Lidhur me këtë ata janë ankuar pranë Ministrisë, por nuk kanë marrë përgjigje.

"Prej javësh kemi monitoruar vijën begdetare dhe kemi vënë re se hapësirat publike nuk ekzistojnë, janë thërrime, të papërfillshme, kundrejt privatizimit masiv. Ndërkohë që shqiptarët nuk kanë vend ku të bëjnë plazh, Minstria e Turizmit nuk denjon të kthej përgjigjie për shqetësimet që kemi ngritur. Na zvarrit duke e deleguar përgjegjësinë tek Agjencia Kombetare e Bregdetit, e cila edhe pse ka detyrim që të sigurojë performancën e zonave bregdetare, e vetmja punë që bën është propaganda me foto në faqen e tyre të webit".

Sipas tyre, deti po u falet oligarkëve.

"Po aq e madhe është edhe papërgjegjshmëria e institucioneve të cilat detin po ua falin oligarkëve, investitorëve strategjik si dhe bizneseve që ndoshta paguajnë edhe rryshfet për të marrë sa më shumë metra katror rërë, e për çadra që variojnë nga 500 deri në 3 mijë e 500 lekë qëndrim ditor".

Anëtarë të kësaj nisme kanë marë shkak nga situata e ndodhur dy ditë më parë në Rradhimë, ku shezlonget u bën "mollë sherri" mes dy vëllezërve.

"Shezlonget edhe njëherë u bën mollë sherri për konflike me armë, këtë herë madje dhe mes dy vëllezërve. Babëzia për të privatizuar plazhet është e madhe".

Duke u ndjerë të neglizhuar, ata kërkojnë përgjigje nga vetë ministjra Mirela Kumbaro.

"Zonja ministre: A keni dhënë leje që në pjesë të ndryshme të plazheve në Vlorë, Palasë, Dhërmi, Sarandë, Jalë, Himarë, Ksamil, Kakome, Durrës, Gjiri i Lalzit dhe Qerret të kufizohet hyrja për qytetarët dhe a jeni në dijeni që në këto plazhe apo në plazhe të tjera ka persona fizik apo kompani private që kanë vendosur tra, tela me gjemba, porta hekuri dhe roje, dhe nuk të lënë të hysh? Kush mban përgjegjësi për plazhet e zaptuara, për rojet bregdetare që mungojnë sipas ligjit të distancës, për mosdezinfektimin e bregdeteve si dhe për derdhjen e ujrave të zeza në ujrat detare?"

Nisma Thurje ka paralajmëruar se do të vijojë protestat deri në marrjen e një reagimi nga ana e Ministrisë, teksa po mban një peticion për ruajtjen e plazheve publike dhe zgjerimin e tyre.

"Miqësinë mbajeni por jo në kurrizin tonë, jo me taksat tona, jo duke na varfëruar ne e duke pasuruar ata. Boll më me këtë sistem zaptues dhe zhvatës ekonomikisht".