Loja me kompanitë e 90-vjeçarëve, e bleu Gurakuqi, e rimori Çani, fitimi me letra mbi 30 mijë euro

Një tjetër kompani që ka pasur lëvizje faturash me incineratorët është  dhe "Lumi 06". Sipas dokumenteve zyrtare edhe këtu janë bërë lëvizje me dokumentet e të moshuarve Gurakuqi dhe Çani. Madje kur kompania është shitur te ta ka pasur edhe fitim 30 mijë euro. Nga ana tjetër Çani është thirrur në polici për një faturë të majme, por edhe pse dokumenti ka firmën e QKB-së, nuk ka të dhëna si ka vijuar hetimi.

Vitet 2017 dhe 2019 kanë qenë mjaft aktivë për dy bashkëmoshatarët Haxhire Gurakuqi dhe Thanas Çani, të paktën kështu duket sipas dokumenteve që janë në QKB.

Ndërsa në deklaratën për mediat LSI ka zbuluar dokumentet për miliona euro evazion fiskal dhe qarkullim faturash me incineratorët.

Nuk është vetëm subjekti "Sopotania" që mban firmën e 90-vjeçarëve por të njëjtat veprime janë dhe në subjektin "Lumi 06", e krijuar në vitin 2016 prej Lumturie Muratit.

Kjo e fundit në vitin e parë të aktivitetit ka krijuar 135 mijë lekë fitim, ndërsa në 12 dhjetor 2017 ia ka shitur Haxhire Gurakuqit.

Me sa duket me këtë ndryshim edhe menaxhimi ka qenë i mirë dhe fitimi shkon në 30 mijë euro.

Transferimet e kapitaleve nuk ndalojnë. Në datën 27 nëntor 2018 aksionet i kalojnë sërisht Lumturie Muratit.

Por në dokumentet zyrtare duket se ndryshon edhe firma e Haxhire Gurakuqit.

Megjithatë edhe pse sipërmarrjen e merr në dorëzim themeluesja, kompania del me humbje dhe në QKB kërkohet statusi "pezulluar".

Pak muaj më pas, me 10 korrik 2019, Murati ia shet aksionet Thanas Çanit, i cili gjithashtu bëhet edhe administrator i kompanisë deri në vitin 2024, ndësa në bilanc nuk deklarohet as humbje e as fitim.

E megjithatë për shkak të aktivitetit, Thanas Çani është kërkuar të parqitet në policinë e Tiranës në seksionin e krimit ekonomik.

Dokumenti i firmosur dhe prej OPGJ pasqyron po ashtu dhe ditëlindjen e pronarit të kompanisë që duket se ka pasur marrëdhënie të mira me incineratorët, por se as ai vetë nuk e ka ditur pasurinë, teksa dosja e hetimit ka zënë pluhur.

Prej atij momenti edhe në Qendrën e Regjistrimit të Biznesit nuk ka më as të dhëna, madje subjekti kalon në statusin pasiv.